Edi Rama do mbahet mend si burgosësi i shqiptarëve: Nga dritat tek uji

0

Kryeministri Edi Rama shpalli ashpërsimin e masave ndaj abuzuesve me ujin, duke paralajmëruar se përveç gjobave, do të ketë edhe heqje lirie për ata që kapen duke vjedhur furnizimin publik. Në thelb të nismës së re është krijimi i një Task Force Kombëtare të Ujit, me logjikën e ngjashme të asaj që u ngrit vite më parë për energjinë elektrike.

Por ky vendim ka hapur polemika të ashpra. Kritikat ndaj qeverisë theksojnë se Rama po shndërrohet në një burgosës serial të qytetarëve shqiptarë, duke nisur me burgosjet për abuzimin me dritat dhe tani duke kaluar tek uji – një pasuri jetike dhe e domosdoshme për çdo familje.

Kontradikta: kush janë abuzuesit e vërtetë?

Kryeministri i drejtoi gishtin qytetarëve që lidhen ilegalisht në rrjet, duke i cilësuar si abuzues që duhet të përballen me ndëshkim penal. Mirëpo, faktet tregojnë një realitet të hidhur: debitorët më të mëdhenj të ujësjellësve janë vetë institucionet shtetërore.
Nga ministri deri tek bashkitë, nga agjencitë qendrore deri tek ndërmarrjet publike, borxhet e akumuluara kapin shifra miliardëshe, duke rrënuar financat e kompanive të shpërndarjes së ujit.

Në këtë panoramë, pyetja e madhe që ngrihet është: pse duhet të burgosen qytetarët e thjeshtë, ndërkohë që qeveria mbyll sytë ndaj varësve të saj? A do të ketë Rama guximin të fusë në burg drejtorët dhe vartësit e tij, apo ligji do të jetë edhe një herë i njëanshëm, që godet vetëm më të dobëtit?

Reforma e ujit apo represion i ri?

Rama e shet reformën si një hap drejt standardeve europiane dhe drejt përmirësimit të shërbimit për ata që paguajnë. Por metoda e dhunshme dhe kërcënimi me burg, në vend të ndëshkimeve administrative dhe forcimit të menaxhimit, rikthen në kujtesë periudhën kur qytetarët u futën në qeli për mosshlyerjen e dritave.

Në fakt, reforma e ujit duket më shumë si një operacion propagandistik sesa një projekt real për të përmirësuar cilësinë e shërbimit. Në terren, defektet në rrjet, humbjet teknike, politizimi i administratës dhe mungesa e investimeve mbeten të pandryshuara.

Historia do ta kujtojë Edi Ramën jo si reformatorin e ujit dhe energjisë, por si kryeministrin që u përpoq të mbushte burgjet me qytetarët e vet, duke i trajtuar si kriminelë për një rubinet uji apo një dritë të ndezur. Ndërsa abuzuesit më të mëdhenj – institucionet e shtetit – vijojnë të mos paguajnë, të paprekur e të padënuar.


Artikulli i mëparshëmZbulohen Bisedat Që Fundosën Ish-Drejtorin E SHISH
Artikulli i radhësPacienti Ndërroi Jetë, Hetim Për Mjekun Në Librazhd