
Shkruar nga Arben Llangozi
Derisa prokurorë si Esmeralda Basho të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë kriminale dhe të mos ndëshkohen, drejtësia shqiptare do të mbetet peng i korrupsionit dhe arrogancës.
Dje, në emisionin investigativ Stop, u bë publik me zë dhe figurë fakti tronditës se prokurorja Esmeralda Basho kishte zhdukur nga një dosje hetimore 2,000 euro cash, dy telefona dhe dokumente të tjera thelbësore.
Ky nuk është një rast i thjeshtë neglizhence, por një akt i pastër vjedhjeje, shpërdorimi dhe shkeljeje flagrante të ligjit.
Kjo prokurore është përmendur edhe më parë për humbjen apo zhdukjen e provave materiale. Sjellja e saj e përsëritur, arrogante dhe joetike, përbën jo vetëm shkelje të rëndë disiplinore, por edhe një krim penal që minon besimin e qytetarëve te drejtësia.
Minimalisht, për një rast të tillë duhej të ishte regjistruar menjëherë procedim penal për zhdukje fashikulli, shpërdorim detyre dhe vjedhje. Por, a mund të pritej që vetë Basho të hetonte krimin ku është autorja kryesore? Natyrisht që jo! Në një vend normal, ndaj saj do të ishte nisur hetim penal dhe procedim disiplinor, duke e pezulluar menjëherë nga detyra.
Por kush do ta bëjë këtë në Shqipëri? Kreu i ILD, Artur Metani, vazhdon të qëndrojë në gjumë letargjik, duke injoruar rastet flagrante të shkeljeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ai është i përfshirë në interesat e tij personale, duke emëruar 8 këshilltarë në kundërshtim të hapur me ligjin dhe në konflikt të pastër interesi, ndërsa për raste si ky i mbyll sytë dhe veshët.
Ky skandal është një kambanë alarmi për shoqërinë shqiptare. Derisa prokurorë si Esmeralda Basho të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë kriminale dhe të mos ndëshkohen, drejtësia shqiptare do të mbetet peng i korrupsionit dhe arrogancës. Heshtja institucionale është bashkëfajësi.
Si është e mundur që vetëm prokurores Esmeralda Basho i “humbasin” vazhdimisht telefona, para dhe prova materiale, ndërkohë që gjashtë prokurorët e tjerë në Prokurorinë e Sarandës nuk kanë asnjë rast të tillë?
Ky fenomen nuk është rastësi, por tregon qartë një model të përsëritur sjelljeje abuzive, që ngre dyshime të forta për vjedhje të qëllimshme dhe zhdukje provash, duke minuar besimin e publikut dhe duke e kthyer detyrën e prokurorit në një biznes personal.
Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi vjedhje dhe zhdukje provash. Ky është turp kombëtar!