
Një shtetas i huaj i konsideruar rrezik për sigurinë kombëtare është ndaluar në Aeroportin e Rinasit pasi u dyshua për përfshirje në veprimtari terroriste. Bëhet fjalë për predikuesin islam Imran Hosein, i cili mbërriti nga Trinidad dhe Tobago, pas një udhëtimi nga Amerika e Jugut drejt Shqipërisë.
Refuzimi i hyrjes dhe masat e sigurisë
Sipas autoriteteve, Hosein kishte planifikuar një vizitë me karakter fetar, por strukturat e sigurisë shqiptare kishin informacione të klasifikuara që e lidhin atë me akte të dyshuara terrorizmi.
Në bazë të këtyre të dhënave, policia kufitare vendosi moslejimin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, ndërsa predikuesi po mbahet aktualisht në Rinas deri në rikthimin e tij në vendin e origjinës.
Kush është Imran Hosein
Imran Hosein është një studiues dhe predikues islam ndërkombëtar, i njohur për qëndrimet e tij rreth eshatologjisë islame — interpretimit të shenjavë të fundit të kohës — si dhe për komentet mbi politikën globale dhe ekonominë islame.
Ai ka mbajtur ligjërata në shumë vende të botës dhe është autor i disa librave mbi marrëdhëniet ndërkombëtare në këndvështrimin fetar.
Një nga temat kryesore në ligjëratat e tij lidhet me roli i Izraelit në zhvillimet botërore, të cilin Hosein e konsideron pjesë të një procesi profetik që çon drejt përfundimit të botës, sipas interpretimit të tij të Kuranit.
Kritika dhe polemika
Megjithëse ka një ndjekje të gjerë në rrethet fetare islame, disa dijetarë dhe institucione myslimane e kanë kritikuar për qëndrimet e tij joortodokse, duke i quajtur interpretimet e tij të diskutueshme dhe shpesh kundër linjës tradicionale teologjike.
Kritikat janë përqendruar në mënyrën se si Hosein e lidh politikën bashkëkohore me profecitë fetare, çka e ka bërë atë figurë të debatueshme dhe të kontestuar.
