Protesta qytetare në Tiranë ka hyrë në ditën e saj të 29-të, ndërsa organizatorët u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo përplasje që mund të devijojë karakterin paqësor të tubimit.
Ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, qytetarët u grumbulluan fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime dhe u përsëritën kërkesat e protestës.
Një nga nismëtarët e protestës, Arben Kola, paralajmëroi protestuesit të tregohen vigjilentë ndaj çdo përpjekjeje për provokim.
“Mes nesh ka patronazhistë që duan të nxisin dhunë. Mos bini pre e provokimeve. Mos përdorni bilbila, pasi shqetësojnë gratë me fëmijë”, deklaroi ai gjatë tubimit.
Përpara Kryeministrisë, protestuesit theksuan se mobilizimi i tyre mbetet i pandryshuar, duke iu drejtuar kryeministrit me mesazhin: “Të gënjen mendja nëse mendon se po përçahemi”.
Pas fjalimeve, marshimi vijoi në rrugët kryesore të kryeqytetit, ndërsa organizatorët deklaruan se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
