
“Tmerri i flakëve në Krujë, banorët falënderues qeverisë: Këtu është dëgjuar era shtet, na keni shpëtuar.”
Ka kronika që informojnë. Ka kronika që propagandojnë. Dhe pastaj ka kronika që arrijnë atë nivel servilizmi sa ndoshta ia përziejnë zorrët e barkut edhe vetë autokratit që synojnë t’i bëjnë qejfin.
Ironia bëhet edhe më e fortë kur vjen nga media e një oligarku që dikur ishte objekt i sulmeve dhe fyerjeve publike të Edi Ramës. Por, siç duket, memoria është luks kur interesat janë më të rëndësishme.
Në mes të flakëve, tymit dhe frikës së banorëve, kronika arrin të zbulojë atë që Shqipëria mezi e kishte kuptuar: “këtu është dëgjuar era shtet.”
Jo avionët. Jo helikopterët. Jo zjarrfikësit.
Era shtet.
Një formulim aq madhështor sa të krijon përshtypjen se shteti shqiptar nuk lufton më zjarret me mjete, personel dhe organizim. Mjafton të shfaqet në horizont dhe populli, mes tymit, dallon aromën e institucioneve.
Në një vend normal, ndërhyrja e shtetit për të mbrojtur jetën, pronën dhe territorin nga zjarret quhet detyrë. Nuk është bamirësi. Nuk është dhuratë personale e kryeministrit. Dhe sigurisht nuk është ndonjë mrekulli për të cilën qytetarët duhet të dalin para kamerave me falënderime.
Por propaganda ka një kimi të çuditshme: merr një detyrim elementar të administratës dhe e transformon në akt heroik të pushtetit.
Dhe këtu qëndron pjesa më komike.
Ndonjëherë oborrtarët, në përpjekjen për t’i shërbyer padronit, e teprojnë aq shumë sa përfundojnë duke e karikaturizuar atë.
Sepse edhe propaganda kërkon njëfarë talenti.
Servilizmi, me sa duket, jo.
