Qeveria ka miratuar ndryshime në ligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, një paketë që prek njëkohësisht kontrollin institucional mbi këto pasuri dhe fatin e qytetarëve që kanë blerë apartamente në to. Sipas versionit zyrtar, synimi është përdorimi për interes publik, strehim social dhe zbutje të pasojave sociale, por projektligji sjell edhe një rikonfigurim të fortë të kompetencave në favor të AAPSK-së.

AAPSK zëvendëson komisionin dhe merr qendrën e vendimmarrjes
Projektligji i dërguar për në Kuvend heq nga skema Komisionin me nëntë anëtarë dhe njësinë e zbatimit që parashikohen në ligjin aktual, duke ia kaluar funksionet kryesore Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Pranë kësaj agjencie parashikohet ngritja e një grupi pune, të caktuar me urdhër të titullarit, i cili do të administrojë objektet dhe fondin e posaçëm, do të propozojë shitjen e pasurive, do të zhvillojë ankandet dhe do të monitorojë pasuritë e dhëna në përdorim.
Në thelb, qeveria po përqendron te një agjenci e vetme zinxhirin e administrimit, vlerësimit dhe zhvillimit të këtyre objekteve, ndërsa shumë detaje të zbatimit lihen për akte nënligjore që pritet të miratohen më pas.
Jo çdo objekt i konfiskuar shkon për përdorim publik
Ndryshe nga ideja e përgjithshme që çdo ndërtim i konfiskuar kalon automatikisht në përdorim nga shteti ose palë të treta, ndryshimet e propozuara hapin rrugë që një pjesë e tyre të legalizohen.
Kjo prek rastet kur objekti ka shkelje të lejes së ndërtimit, punimet në strukturë kanë përfunduar dhe njësitë posedohen ose përdoren nga palë të treta me kontrata noteriale me investitorin ose zhvilluesin. Në këto situata, objekti mund të legalizohet dhe të regjistrohet sipas legjislacionit për proceset kalimtare të pronësisë.
Në këtë skemë, AAPSK do t’i kërkojë ASHK-së vijimin e procedurave të legalizimit për këto kategori objektesh.
Ndryshime me peshë për blerësit e apartamenteve
Një nga pikat më të ndjeshme të projektligjit lidhet me mënyrën si trajtohen qytetarët që kanë blerë apartamente në ndërtime të konfiskuara. Ligji aktual njeh proporcionalisht shumën e paguar dhe parashikon kompensim financiar sipas vlerës që korrespondon me punimet e kryera.
Me ndryshimet e reja, në raste të caktuara nuk do të njihet vetëm një detyrim financiar, por mund të miratohet kalimi i vetë pronësisë së njësisë te blerësi.
Autoritetet, sipas draftit, duhet të njohin dhe respektojnë kontratat e lidhura para noterit dhe të regjistruara në Kadastër përpara konstatimit të paligjshmërisë. Pas përfundimit dhe regjistrimit të ndërtesës, AAPSK do të miratojë kalimin e pronësisë për njësinë që i takon blerësit sipas kontratës së mëparshme me zhvilluesin.
Ekspertë jashtë prokurimit dhe fondi kalon te agjencia
Projektligji parashikon që ekspertët e jashtëm të AAPSK-së të përzgjidhen nga lista e administruar nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa kjo përzgjedhje përjashtohet nga procedurat e prokurimit publik. Ky është një nga elementët që ngre pikëpyetje për filtrat e transparencës dhe konkurrencës në proces.
Po ashtu, të gjitha dosjet, materialet, dokumentacioni dhe fondi i konfiskimit të akumuluar nga zbatimi i ligjit ekzistues do t’i kalojnë AAPSK-së brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit të ri.
Drafti parashikon edhe të drejtë parablerjeje për subjektet poseduese që vetëdeklarojnë objektet e ndërtuara pa leje pranë organit kompetent brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Projektligji mban firmën e kryeministrit Edi Rama dhe është propozuar nga ministri i Brendshëm dhe ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit. Tashmë fjala kalon te Kuvendi, ku pritet të testohet jo vetëm formula e re e administrimit, por edhe balanca mes interesit publik, të drejtave të blerësve dhe hapësirës që shteti po i jep vetes në menaxhimin e këtyre pasurive.
Në një çështje ku përzihen pronësia, legalizimi, konfiskimi dhe fondet publike, mënyra si do të zbatohen këto ndryshime mund të ketë peshë më të madhe se vetë premtimet e shkruara në draft.
