Pak ditë para zgjedhjeve për Parlamentin e Berlinit, administrata e kryeqytetit gjerman është përballur me një goditje të rëndë kibernetike. Sipas versionit zyrtar, rreth 1.4 milionë të dhëna të vjedhura janë publikuar në Darknet pasi autoritetet refuzuan të paguanin shumën e kërkuar nga hakerët.

Sulmi dhe kërkesa për shpërblim
Pas sulmit qëndron grupi kriminal kibernetik Rhysida, i cili, sipas autoriteteve, depërtoi në sistemet e administratave të Ndërtimit dhe Transportit.
Hakerët kërkuan 30 Bitcoin, me një vlerë rreth 2 milionë euro, duke kërcënuar se do t’i publikonin materialet nëse pagesa nuk kryhej. Kryebashkiaku Kai Wegner deklaroi se Berlini nuk do të pranonte të shantazhohej.
Çfarë u publikua në Darknet
Pas refuzimit për të paguar, në Darknet u hodhën dosje personeli, shkresa zyrtare, fletëpagesa dhe kopje dokumentesh identiteti.
Mes informacioneve që mund të jenë komprometuar përmenden edhe të dhëna për centrale energjetike dhe ngrohjeje, depo karburanti, sisteme të furnizimit emergjent me energji, burgje dhe ujësjellës. Përmasat e plota të dëmit mbeten ende të paqarta.
Dyshimet për hyrjen në rrjet
Sipas autoriteteve, hakerët kishin akses në sistemet e administratës nga 7 deri më 14 gusht.
Dyshimi kryesor është se sulmi nisi pasi një punonjës i Administratës së Transportit ra pre e një emaili phishing, duke u hapur pa dashje rrugën sulmuesve drejt rrjetit institucional.
Zgjedhjet dhe materiali i ndjeshëm
Senati i Berlinit ka ngritur një qendër koordinimi dhe po bashkëpunon me autoritetet federale të sigurisë kibernetike.
Autoritetet këmbëngulin se sulmi nuk ka prekur infrastrukturën zgjedhore dhe se votimi për Parlamentin e Berlinit më 20 shtator nuk është në rrezik. Megjithatë, koha e goditjes dhe volumi i materialit të publikuar e bëjnë çështjen politikisht të ndjeshme.
Mes dokumenteve të vjedhura raportohen edhe materiale për projektin e debatueshëm të zgjerimit të Kancelarisë Federale, duke e prekur në mënyrë indirekte edhe kancelarin Friedrich Merz.
Rasti nxjerr sërish në pah sa të cenueshme mbeten edhe administratat e vendeve me kapacitete të larta shtetërore përballë sulmeve kibernetike.
Përtej deklaratave qetësuese, publikimi i një sasie kaq të madhe të dhënash ngre pikëpyetje serioze për sigurinë e sistemeve publike dhe menaxhimin e riskut institucional në prag të një procesi zgjedhor.
