Franca tronditet nga protestat: 550 mijë në rrugë, mbi 1,200 arrestime dhe përplasje të ashpra

0

Franca u përfshi nga protesta masive dhe përplasje të forta në disa qytete, në një ditë që nxori në pah jo vetëm zemërimin për mungesën e fondeve në arsim dhe degradimin e shërbimeve publike, por edhe hendekun e zakonshëm mes shifrave të rrugës dhe versionit zyrtar. Autoritetet franceze folën për 550 mijë protestues, ndërsa organizatorët dhe sindikata CGT e çuan pjesëmarrjen në rreth 800 mijë.

Franca tronditet nga protestat: 550 mijë në rrugë, mbi 1,200 arrestime dhe përplasje të ashpra

Shifra të ndryshme për pjesëmarrjen, tension i lartë në Paris

Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, në protestat e së shtunës morën pjesë rreth 550 mijë persona. Organizatorët dhe sindikata CGT dhanë një tjetër shifër, dukshëm më të lartë, duke folur për rreth 800 mijë protestues në të gjithë vendin.

Në Paris, përplasjet më të forta u regjistruan në Place de la République, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe tensionet zgjatën për orë të tëra. Demonstruesit u përpoqën t’u afroheshin ministrive dhe pallatit presidencial, ndërsa gjatë trazirave u sulmua edhe selia e rrjetit televiziv CNews.

Dhuna u përhap në disa qytete

Përtej kryeqytetit, incidentet u shtrinë në disa qytete të Francës. Në Limoges, një zjarr që dyshohet se u shkaktua nga një koktej molotovi dëmtoi godinën historike të bashkisë, një ndërtesë që daton nga shekulli i 19-të.

Në Marsejë, sipas raportimeve, grupe protestuesish me kapuçë sulmuan bashkinë dhe shkruan slogane anarkiste në mure. Në të njëjtin qytet u raportuan edhe plaçkitje dyqanesh. Në Lion u dogj një zyrë turistike, në Lilë pati dëme në bashki, ndërsa në Grenoble banorët e një ndërtese u evakuuan pas shpërthimit të një zjarri.

17-vjeçari humb dorën, policia raporton dhjetëra të plagosur

Një nga episodet më të rënda u raportua në Saint-Etienne, ku një 17-vjeçar humbi dorën. Sipas raportimeve, i mituri u plagos nga një granatë e hedhur nga policia, të cilën dyshohet se e kishte kapur me duar.

Kryeministri francez Sébastien Lecornu deklaroi se 150 efektivë policie dhe xhandarë mbetën të plagosur gjatë protestave. Më herët ishte raportuar për rreth 60 efektivë të plagosur, mes tyre dy në gjendje kritike, çka tregon se edhe bilanci zyrtar ka pësuar ndryshime gjatë zhvillimeve.

Mbi 1,200 arrestime dhe përplasje politike pas protestave

Autoritetet franceze kryen më shumë se 1,200 arrestime, shumica në Paris. Mes të ndaluarve kishte edhe të mitur, sipas të dhënave të bëra publike pas trazirave.

Presidenti Emmanuel Macron dënoi dhunën dhe deklaroi se ajo nuk ka vend në demokraci, ndërsa paralajmëroi ndjekje penale për përgjegjësit. Nga ana tjetër, Lecornu tha se askush nuk mund të imponojë axhendën e tij politike përmes dhunës dhe drejtoi kritika ndaj lëvizjes së majtë Franca e Panënshtruar të Jean-Luc Mélenchon. Edhe ministri i Brendshëm akuzoi të majtën ekstreme për nxitje të dhunës, një linjë politike që për momentin mbetet pjesë e versionit zyrtar.

Protestat e së shtunës e kthyen sërish në qendër krizën e shërbimeve publike në Francë, por edhe mënyrën se si autoritetet i menaxhojnë tubimet masive dhe pasojat e tyre.

Mes bilanceve të kundërta për pjesëmarrjen, dëmeve të shumta dhe plagosjeve serioze, ngjarja mbetet një tjetër tregues i tensionit të fortë social dhe politik që po përshkon vendin.

Artikulli i mëparshëmRama kthen 21 Janarin në debat për protestat: sulmuesit e policisë i quan kriminelë
Artikulli i radhësGabriel Partos on the protests: Rama under pressure, but the opposition is not offering an alternative