Angli shtrëngon ligjin e emigracionit: çfarë ndryshon për shqiptarët pa leje qëndrimi

0

Qeveria britanike po shtyn përpara një paketë ndryshimesh në ligjin e emigracionit që, sipas versionit zyrtar, synon të mbyllë boshllëqet ligjore dhe të frenojë abuzimin me sistemin. Në praktikë, amendamentet pritet të ashpërsojnë trajtimin e kërkesave për azil të paraqitura me vonesë, pretendimeve për jetë familjare dhe procedurave të apelimit, duke prekur edhe emigrantët shqiptarë pa dokumente të rregullta në Angli.

Angli shtrëngon ligjin e emigracionit: çfarë ndryshon për shqiptarët pa leje qëndrimi

Fokus te kërkesat e minutës së fundit

Një nga boshtet kryesore të paketës është goditja e kërkesave për azil ose imigracion që paraqiten në fund të procesit, sidomos kur autoritetet vlerësojnë se nuk ka arsye të fortë për vonesën.

Sipas qeverisë britanike, paraqitja e provave ose e kërkesave në momentet e fundit do të ndikojë negativisht te besueshmëria e aplikantit. Po ashtu, projektligji parashikon një proces më të përshpejtuar vendimmarrjeje për këto raste, me synimin për të shmangur zvarritjet që përdoren për të vonuar largimin nga vendi.

Ndryshon edhe pesha e pretendimeve për jetë familjare

Amendamentet prekin drejtpërdrejt edhe rastet kur emigrantët përpiqen të ndalojnë dëbimin duke u mbështetur te e drejta për jetë familjare, e lidhur me Nenin 8.

Sipas formulimit të ri, gjykatat do të marrin parasysh jo vetëm ekzistencën formale të lidhjes familjare, por edhe sa kohë dhe sa shpesh një prind ka qenë realisht në kontakt me fëmijën. Në projektligj, koncepti i jetës familjare kufizohet zakonisht te marrëdhëniet e ngushta ku anëtarët jetojnë bashkë, duke ngushtuar hapësirën për interpretime më të gjera.

Po ashtu, synohet të pengohen rastet kur dikush rikthehet në banesën familjare pak para dorëzimit të kërkesës, për të forcuar pretendimin se ka jetë familjare aktive.

Kosto për azilkërkuesit dhe procedurë e re apelimi

Projektligji parashikon edhe një mekanizëm financiar për azilkërkuesit që marrin strehim dhe mbështetje të tjera të financuara nga taksapaguesit. Kur kanë mundësi ekonomike, atyre do t’u kërkohet të kontribuojnë në këto kosto përmes një tarife fikse dhe pagesash të rregullta mbi një prag që do të përcaktohet nga Sekretarja e Brendshme.

Në të njëjtën paketë parashikohet krijimi i një Autoriteti të Pavarur për Apelimet në Çështjet e Imigracionit, që sipas qeverisë do të shërbejë për një sistem më të shpejtë dhe më të drejtë apelimi. Bashkë me këtë, synohet edhe një procedurë e vetme apelimi, për të penguar paraqitjen e kërkesave të reja vetëm për të bllokuar ose vonuar sistemin.

Projektligji është ende në Parlament

Në korrik, projektligji kaloi leximin e dytë në Dhomën e Komunave me 174 vota shumicë. Javën e ardhshme ai pritet të hyjë në fazën e shqyrtimit të detajuar nen për nen në Parlament.

Kjo do të thotë se paketa nuk është mbyllur ende përfundimisht, por drejtimi politik është i qartë: më pak hapësirë për apelime të shumta, më shumë peshë për afatet procedurale dhe kontroll më i fortë mbi ata që nuk kanë të drejtë qëndrimi, sipas autoriteteve britanike.

Për shqiptarët pa leje qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar, ndryshimet sinjalizojnë një klimë edhe më të ashpër ligjore, sidomos për ata që mbështeten te kërkesat e vonuara, lidhjet familjare ose apelimet për të shtyrë largimin.

Mbetet të shihet si do të zbatohen në praktikë këto masa dhe sa hapësirë reale do të lënë për shqyrtim individual të rasteve, përtej retorikës së fortë politike për “abuzimin” me sistemin.

Artikulli i mëparshëmBalliu pas përjashtimit 60-ditor nga Kuvendi: “Veza lëndë piroteknike? Vendim për të goditur PD-në”
Artikulli i radhësBalliu after 60-day suspension from Parliament: ‘An egg is pyrotechnic material? A decision to target the PD’