Pamjet e peshqve të ngordhur në brigjet e Liqenit Artificial të Tiranës po shoqërohen me gjetje edhe më të rënda në dokumentet zyrtare. Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit paraqet një tablo problematike: shkarkime të ujërave të ndotura, mungesë monitorimi të rregullt, paqartësi për bizneset që operojnë në zonë dhe mijëra lekë publike të shpenzuara për një pastrim që duket se ka prekur vetëm sipërfaqen e problemit.

Raporti i KLSH: liqeni përballet me ndotje të patrajtuar
Sipas auditimit të KLSH, në trupin ujor të liqenit ka shkarkime të ujërave të ndotura urbane të patrajtuara. Dokumenti evidenton se, pavarësisht gjendjes kritike mjedisore, Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për identifikimin e ndotësve dhe për ndalimin e shkarkimeve.
Raporti ngre gjithashtu shqetësimin se mungesa e bashkërendimit institucional ka mbetur kryesisht në nivel korrespondence shkresore, ndërsa situata ekologjike rrezikon të përkeqësohet më tej.
Ekspertët flasin për një liqen “të sëmurë”
Në konsultimet e përfshira në auditim me ekspertë dhe akademikë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, liqeni përshkruhet si i degraduar dhe problematik edhe për përdoruesit e tij.
Sipas KLSH, nga vëzhgimet është arritur në përfundimin se bëhet fjalë për lulëzim të cianobakterit Microcystis aeruginosa. Raporti thekson se helmet çlirohen gjatë shpërbërjes së qelizës dhe mund të kenë pasoja të rënda për botën ujore, por edhe për njeriun. Ngordhja masive e peshqve dhe dalja e tyre në sipërfaqe, sipas të njëjtit raport, lidhen me mungesën e oksigjenit dhe me praninë e lartë të lëndëve ushqyese si azoti dhe fosfori.
Mbi 10.6 milionë lekë për pastrim, por jo për ndalimin e ndotjes
Dokumentet e cituara në raport tregojnë se gjatë periudhës 2021–2024, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, nën varësinë e Bashkisë së Tiranës, ka shpenzuar 10,665,000 lekë për pastrimin e basenit të Liqenit Artificial.
Por auditimi vëren se ky ka qenë kryesisht pastrim mekanik: heqje plastikash nga sipërfaqja dhe largim i bimësisë së tepërt. Problemi themelor, reduktimi ose eliminimi i burimeve të ndotjes në ujë, sipas raportit, ka mbetur i paadresuar.
Paqartësi për bizneset dhe mungesë rrjeti kanalizimesh
Një tjetër problem që del nga auditimi është kakofonia e të dhënave për subjektet private që ushtrojnë aktivitet brenda Parkut të Liqenit. Sipas kontratave me UKT, operojnë 10 subjekte private. Sipas përgjigjeve të APR, numri është 14. Ndërsa verifikimet në terren të grupit auditues kanë konstatuar më shumë se 14 subjekte.
Në mungesë të rrjetit të kanalizimeve brenda territorit të liqenit artificial, këto subjekte operojnë me zgjidhje individuale, si gropa septike, të cilat sipas auditimit mbeten të pamonitoruara nga institucionet shtetërore.
Pa plan menaxhimi dhe pa monitorim vjetor
KLSH arrin në përfundimin se Bashkia e Tiranës, në rolin e administratores, nuk ka hartuar një plan menaxhimi për Liqenin Artificial të Tiranës. Sipas raportit, mungon një skemë e qartë për ndarjen e detyrave dhe bashkëveprimin mes institucioneve qendrore e vendore, me synim verifikimin dhe ndalimin e shkarkimeve të ujërave të përdorura urbane apo industriale.
Po aq problematike paraqitet edhe çështja e monitorimit. Edhe pse Liqeni Artificial i Tiranës është përcaktuar të monitorohet çdo vit në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit, auditimi thotë se për periudhën 2021–2024, madje minimalisht që nga viti 2015, Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk ka kryer asnjë monitorim vjetor për këtë trup ujor.
Mungesa e reagimit institucional përballë një situate të dokumentuar tashmë edhe në auditim e bën më të fortë dyshimin se problemi është lënë të zvarritet, ndërsa liqeni vazhdon të degradohet.
Bashkia e Tiranës është pyetur për reagimin pas auditimit, por nuk ka kthyer përgjigje.
