MREKULLIA EKONOMIKE E EDI RAMËS! 14 VJET NË PUSHTET DHE SHQIPËRIA ENDE MES 6 VENDEVE MË TË VARFRA TË EUROPËS!

0

E mori Shqipërinë mes vendeve më të varfra të Europës dhe, pas gati 14 vitesh qeverisjeje, po na e servir si mrekulli ekonomike faktin që vazhdojmë të jemi po aty!

Sipas një renditjeje të publikuar mbi bazën e projeksioneve të PBB-së për frymë për vitin 2026, Shqipëria renditet vendi i gjashtë më i varfër në Europë, me rreth 13,968 dollarë për banor.

Pas nesh? Ukraina, një vend që prej vitesh përballet me luftën, Moldavia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Bjellorusia.

Kjo është panorama ekonomike e Shqipërisë pas gati 14 vitesh qeverisjeje të Edi Ramës.

Katërmbëdhjetë vite pushtet. Katërmbëdhjetë vite premtime për zhvillim, investime strategjike, transformim ekonomik, Shqipërinë 2030 dhe të ardhmen dixhitale.

Dhe rezultati? Shqipëria vazhdon të jetë në fund të Europës për prodhimin ekonomik për frymë.

Por të mos nxitohemi me kritikat! Ndoshta vitin tjetër, dashtë Zoti, arrijmë vendin e parë mes më të varfrave. Të jemi edhe ne të parët në Europë për diçka!

Se një lider me ambicie kaq të mëdha nuk mund të kënaqet me vendin e gjashtë. Sidomos kur bëhet fjalë për një kryeministër që flet për inteligjencën artificiale sikur Shqipëria të ishte Silicon Valley i Ballkanit.

Ndërsa vendet e tjera europiane diskutojnë si të rrisin produktivitetin, pagat reale dhe konkurrueshmërinë e ekonomive të tyre, ne diskutojmë për faqet e internetit me inteligjencë artificiale, avatarë dixhitalë dhe revolucionin teknologjik që do të ndryshojë administratën publike.

Kryeministri kërkon që shqiptarët të përqafojnë inteligjencën artificiale në qeverisje, ndërkohë që pyetja më e thjeshtë ekonomike vazhdon të mbetet pa përgjigje:

Si ka mundësi që pas gati 14 vitesh në pushtet Shqipëria vazhdon të jetë ndër gjashtë vendet më të varfra të kontinentit?

Dhe jo, nuk bëhet fjalë për mungesë burimesh.

Shqipëria ka dalje në det, potencial të jashtëzakonshëm turistik, burime natyrore, pozicion strategjik, lidhje të forta me tregjet europiane dhe një diasporë që vazhdon të mbështesë ekonominë përmes remitancave.

Ka pasur gjithashtu vite rritjeje ekonomike. Sipas Bankës Botërore, PBB-ja nominale për frymë është rritur nga rreth 4,543 dollarë në vitin 2013 në rreth 12,998 dollarë në vitin 2025.

Pra, ekonomia është rritur. Kjo nuk vihet në diskutim.

Por problemi nuk është nëse Shqipëria është më e pasur se 14 vite më parë. Problemi është sa ka përparuar krahasuar me Europën dhe sa prej kësaj rritjeje është përkthyer në mirëqenie reale për qytetarët.

Sepse nuk mjafton të tregosh grafikë që ngjiten, kur vendi yt vazhdon të qëndrojë në fund të tabelës europiane.

Nuk mjafton të flasësh për miliarda euro investime, nëse nuk shpjegon se si ato po rrisin produktivitetin, fuqinë blerëse dhe mundësitë ekonomike të shqiptarëve.

Nuk mjafton të ndërtosh një Shqipëri spektakolare në prezantimet qeveritare, kur Shqipëria reale vazhdon të përballet me diferenca të mëdha ekonomike ndaj pjesës tjetër të kontinentit.

Dhe mbi të gjitha, nuk mjafton të shpallësh çdo vit një tjetër revolucion, kur rezultatet kërkojnë ende shpjegim.

Inteligjenca artificiale mund të prodhojë një faqe interneti, një avatar, një fjalim apo një prezantim madhështor. Por nuk mund të prodhojë mirëqenie vetëm duke ndryshuar pamjen e propagandës qeveritare.

Pas gati 14 vitesh, përgjegjësia politike për rezultatet ekonomike nuk mund të kërkohet pafundësisht te qeveritë e mëparshme.

Edi Rama ka pasur kohë të mjaftueshme për të zbatuar vizionin e tij ekonomik. Ka pasur pushtetin, buxhetet, administratën dhe mundësinë për të përcaktuar prioritetet e vendit.

Prandaj sot debati nuk duhet të jetë sa bukur prezantohet Shqipëria në ekran, por sa afër është realisht me standardet ekonomike të Europës.

Sepse një vend nuk bëhet i pasur nga numri i strategjive që miraton qeveria, as nga sasia e inteligjencës artificiale që vendos në faqet e internetit. Bëhet i pasur nga produktiviteti, investimet që krijojnë vlerë dhe mirëqenia që arrin te qytetarët.

Deri atëherë, le të vazhdojmë të festojmë mrekullinë!

Jemi të gjashtët nga fundi në Europë, por të paktën kemi ambicie të bëhemi liderë botërorë të inteligjencës artificiale.

Dhe nëse vazhdojmë kështu, një ditë ndoshta do t’i kërkojmë vetë inteligjencës artificiale të na shpjegojë se ku përfundoi mrekullia ekonomike e Edi Ramës.

Artikulli i mëparshëmNdahet nga jeta në moshën 41-vjeçare aktori Gjergj Mena, humbje për teatrin shqiptar
Artikulli i radhësPagat e magjistratëve në Kushtetuese: më 2 dhjetor shqyrtohet përplasja me Kuvendin