Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, vazhdoi turin e takimeve në Tiranë, duke u ndalur në zonën e Unazës së Re.
Gjatë takimeve, Basha tha se situata ekonomike po rëndohet çdo ditë. “Kjo situatë do të marrë fund me bashkimin më të madh në këto 30 vite të shqiptarëve që duan ndryshimin,” tha Basha.
MESAZHI
Në Tiranë e kudo në Shqipëri situata po rëndohet çdo ditë e më shumë. Papunësia po rritet, bizneset po mbyllen e ndërsa qeveria duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershme për t’u ardhur në ndihmë, ajo vijon me propagandën e ngopjes me lugën bosh.
Banorë dhe sipërmarrës të vegjël në zonën e Unazës së Re me të cilët bisedova sot, më treguan se e kanë të pamundur të shlyejnë dhe faturat, të cilat u kanë ardhur dyfish më të larta. Tarifat vendore janë rritur, çmimet janë rritur, ndërsa të ardhurat kanë rënë. Shumë prej tyre, edhe pse u ka ardhur njoftimi se kanë përfituar pagën e dëmshpërblimit për muajt e karantinës, nuk e kanë marrë atë akoma.
Në 7 vjet paratë e mbledhura nga taksat e rritura, RAMAVIRUSI i çoi tek një grusht oligarkësh, ndërsa qytetarët në ditët e tyre më të vështira, i la në mëshirë të fatit.
Sot, të gjithë e dinë se me RAMAVIRUSIN, situata për qytetarët vetëm do të rëndohet, ndërsa oligarkët, taksidarët dhe qeveritarët janë sulur të Kapin Ça të Kapin.
Kjo situatë do të marrë fund me bashkimin më të madh në këto 30 vite të shqiptarëve që duan ndryshimin. Të gjithë ata që kanë abuzuar me taksat e shqiptarëve do të japin llogari deri në një.
Ne do t’u kthejmë qeverisjen qytetarëve. Ne do të bëjmë gjithçka për çlirimin dhe ringritjen e ekonomisë, për punësimin dhe mirëqenien e çdo shqiptari.