Pse Rama ka të drejtë për opozitën

0

Thënia që ka zgjedhur këtë herë, nga propozimet e stafit për rubrikën tematiko-dëfryese “thënia e ditës”, flet më shumë për vetë Edi Ramën se për opozitën. “Të ankohesh për një problem pa i dhënë zgjidhje, quhet kuisje”, është thënia e Theodore Roosevelt, të cilën Kryeministri e ka ndarë për të vënë përpara përgjegjësisë opozitën.

Në fakt, thënia ka 2 pjesë, problemin dhe zgjidhjen. Opozita sot gjendet përballë një problemi që është ndryshimi i Kushtetutës në mënyrë të njëanshme, që do të sjellë ndryshimin e Kodit Zgjedhor në mënyrë të njëanshme, vetëm 1 javë pas ditës së sotme, kur do të miratohen ndryshimet konsensuale. Gjendet përballë një problemi të krijuar nga Edi Rama, të cilin nuk po shkon ta zgjidhë aty kur kërkon ai.

Të hënën në Këshillin Politik, Gazmend Bardhi u ul në tryezën e Këshillit Politik pa mandate, vetëm me kompleksin e opozitës për tu treguar ndërkombëtarëve konstruktivitet. Me marrëveshjen e 14 janarit, Këshilli Politik ka 4 anëtarë, 1 nga maxhoranca, një nga opozita Parlamentare (përkatësisht kryetari dhe nënkryetarja e Komisionit të Posacëm parlamentar të reformës zgjedhore), 1 nga PD dhe 1 nga LSI. Të katërt këta mund të ndërrohen nga forcat respektive, por përfaqësimi, formati i Këshillit Politik, nuk mund të ndryshohet pa një marrëveshje të re.

Në bazë të marrëveshjes, mbledhja e Këshillit Politik, e së hënës, megjithëse kishte pjesëmarrjen e opozitës, ishte e parregullt, pavarësisht se nuk mori asnjë vendim.

Mbledhja e djeshme pastaj, ishte thjesht një pushtim i ambientit ku kryen punimet Këshilli Politik. Mazhoranca dhe opozita parlamentare, që përfaqësojnë vetëm gjysmën e Këshillit, e mbushën sallën me njerëz pa mandat, i pari ndër të cilët ishte vetë Kryeministri. Mbledhja e Këshillit nuk mund të nisë pa palën opozitare. Që nga janari, të gjitha takimet ku pala parlamentare, apo pala jashtëparlamentare kanë munguar, kanë dështuar. Ajo e djeshmja ishte vetëm një show politik, i gjysmës së Këshillit, me të paftuar që pushtuan ambientin për të prishur dhe të vetmin forum që nxori një produkt konsensual pas 6 muajve.

Të gjitha këto, tregojnë se problemi që duhet të zgjidhë opozita është Edi Rama. Marrëzia e tij për të shkatërruar çdo institucion për të banalizuar çdo negociatë politike, për ta ulur në nivelin e krundeve parlamentare diskutimin, vetëm që të rrëmbejë një mandat të tretë. Në marrëzi e sipër, Rama, ka përsëri të drejtë, është opozita që duhet të gjejë zgjidhje. Ai vetë nuk mund ta ndihmojë veten, nuk mund ta ndalë. Opozita duhet ta bëjë këtë. E thënë nga Rama, duket si një thirrje personale për ndihmë, por përtej kësaj, problemi është i të gjithëve.

Rama nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes, sapo e tha vetë këtë. Opozita ofron zgjedhjet si zgjidhje, por janë pikërisht zgjedhjet që po rrezikohen, jo se ndalohen koalicionet, jo vetëm se ndryshimet e Ramës do t’i bëjnë të pamenaxhueshme, por vullneti i tij është që t’i prishë fare hapur, përpara syve të të gjithëve. Kur ndryshon Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor në mes të ditës, kur refuzon dorën e zgjatur të BE për një datë hapjesh të negociatave, kur po e telendis imazhin e Presidentit të radhës së OSBE duke e detyruar OSBE të dalë kundër tij, ndërhyrja në zgjedhjet e pranverës 2021 është e paralajmëruar. Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve është e kompromentuar. Opozita duhet të ketë një plan B. Rama ia kërkoi sot./dosja.al

Artikulli i mëparshëmAloe Vera, 8 përdorimet e saj
Artikulli i radhësPlagosja në restorantin në Ksamil, arrestohet autori 18- vjeçar, në kërkim bashkëpunëtori