Koronavirusi dhe Njeriu: Ç’duhet të dimë që të mbrohemi

    0
    This image has an empty alt attribute; its file name is pluca_koronavirus_covid19_ljekari_mart20_xinhua-333x227.jpg

    Prof.Dr. Kristaq Sini

    Po bëhen disa muaj që njerëzimi po përballet me një qënje mikroskopike nga më primitivet: koronavirusi Covid 19. Sikundër të gjitha viruset, është parazit i detyruar, dmth, i duhet patjetër një organizëm i gjallë bujtës ku të mund të shumëzohet. Kudo flitet për virusin se sa dinak, i pabesë, i paparashikueshëm etj është për të mos vazhduar me përcaktimet se diku është më agresiv dhe diku tjetër më pak, se varet se si do sillet më tej, etj etj dhe çuditërisht nuk diskutohet aspak për bujtësin e tij, njeriun. Thuhet vetëm se mund të prekë 60%, 50%, 40% apo në raste dhe vende të veçanta 70% të popullatës. Në mënyrë të natyrshme, kujdo i lindin pyetjet: pse kaq përqind dhe jo 100% të popullatës? Pse në Shqipëri ka relativisht pak të prekur, por mosha mesatare e tyre dhe e viktimave është më e re se në Itali? Pse më pak të prekur në Gjermani dhe shumë më pak viktima se në Itali, Spanjë, Francë, Angli, SHBA, etj. Pse akoma më pak të prekur në Japoni dhe vendet e tjera aziatike? Pse kudo thuhet se e pësojnë ata që kanë sëmundje shoqëruese?

    Pyetje të tilla mbeten pa përgjigje ose shpesh thuhet se ka shumë faktorë, por asnjëherë nuk veçohet faktori kryesor që ndikon në përhapjen më të shpejtë apo më të shumtë në një vend, krahasuar më një apo disa vende të tjera. Po kështu, nuk veçohet faktori kryesor që ndikon në sëmundshmërinë apo vdekshmërinë më të madhe. Përsëri lind pyetja: përse të ndodhë kështu? Mbase ndodh, sepse justifikohemi me mosnjohjen e një agjenti të ri si Covid 19, që është e natyrshme, dhe ndërkohë nuk marrim parasysh apo nuk duam ta gjykojmë partnerin e tij, popullatën njerëzore të çdo vendi që është shtrati  ku shumëzohet virusi përkatës. Sepse, kur njeriu transformon natyrën, apo nuk kupton se është pjesë përbërëse e saj, e pëson, siç e shpreh shumë saktë një thënje proverbiale: “Natyra nuk ka nevojë për njeriun, njeriu ka nevojë për natyrën”. Në kushtet e një pandemie apo edhe epidemie, duhen nxjerrë përfundimet e duhura, në mënyrë që të përballojmë situatën e sotme dhe të jemi të përgatitur për të ardhmen.

    Stili i jetesës

    Stili i jetesës lidhet me traditat kulturore, zakonore, fetare etj të popujve të ndryshëm në mënyrën e komunikimit njerëzor, me mënyrën dhe cilësinë e të ushqyerit, të aktivitetit fizik, të jetesës në fshat apo qytet, në komunitete me disa dhjetra apo disa milionë njerëz etj

    Le të fillojmë me mënyrën e komunikimit dhe marrdhënjeve midis njerëzve. Ka popuj, si në Japoni apo vendet aziatike, ku njerëzit përshëndeten pa i dhënë dorën njëri tjetrit. Në Gjermani, mund të takohen vetëm duke dhënë dorën. Nga ana tjetër, vendet e mësipërme karakterizohen edhe nga një disiplinë, e cila është e ngulitur në nivel edukate. Kurse në vendet mesdhetare, nuk mjaftohen vetëm me shtrëngim dore, por ka edhe përqafime, madje edhe puthje në faqe. Kështu mund të shpjegohet përhapja më e pakët e Covid 19 në Japoni në krahasim me Gjermaninë dhe e Gjermanisë me vendet e Mesdheut si Italia dhe Spanja. Ndërkohë, jepen këshilla për takime (përshëndetje) me grusht apo brryl. Por, meqënëse nuk jemi mësuar me përshëndetjen aziatike, për të minimizuar mundësinë dhe përhapjen nëpërmjet kontakteve, le të përshëndetemi me zakonet tona: me një të përkulur të kokës ose me dorë në zemër.

    Përse kaq shumë raste infektimi me Covid 19 në Italinë e veriut dhe shumë pak në atë të jugut që mund të krahasohet me vendet e Ballkanit?  E thënë me terma ekonomikë, është më pak e zhvilluar se Italia e veriut, ose më pak “e kultivuar”. “Çuditërisht”, të gjitha qënjet e gjalla, sa më të kultivuara dhe të shumta në numër të jenë, aq më shumë preken nga sëmundje të ndryshme. Kështu ndodh me bimët, kafshët dhe vetë njerëzit. Arsyeja është e thjeshtë: kur e konsideron veten pjesë të natyrës, njeriu prek bimët, tokën, kafshët dhe pavarësisht se ka prekur fytyrën apo hundën nuk sëmuret. Përkundrazi, është më i shëndetshëm.. Një sipërfaqe e ndotur ka 10 milion mikroorganizma për njësi, sipërfaqja e pastruar ka 10 mijë për njësi kurse në një sipërfaqe të dizinfektuar 10 mikroorganizma për njësi. Dizinfektimin, njeriu duhet ta bëjë kur ka prekur ujrat e zeza apo ndonjë kafshë të sëmurë, kurse për Covid 19, mjafton këshilla e larjes së duarve për 20 sekonda. Rezultatet e eksperimenteve që studjonin efektin e trajtimeve të ndryshme mbi llojshmërinë e mikroorganizmave në serrë, krahasuar me tokën ngjitur me të (referenca [1], gjendet në fund të artikullit), kanë treguar se përdorimi i kimikateve të shumta në serra ka për rezultat zhvillimin e vetëm tre – katër llojeve mikroorganizmash, kurse në tokën pranë serrës, llojet e mikroorganizmave janë të shumëllojshme. Mund të thuhet me bindje se, ashtu sikundër natyra ka lloje të panumërta gjallesash, edhe mikroflora që popullon organizmin tonë, duhet të jetë e shumëllojshme dhe në ekuilibër biologjik.  Bashkëjetesa e njeriut me natyrën, nënkupton edhe ushqimin që ai merr prej saj, që siç do të shohim në vazhdim, ka një rëndësi kryesore, si për metabolizmin e tij, të lidhur drejtpërdrejt me shëndetin e tij, ashtu edhe për mikroorganizmat që e popullojnë atë. Por, kur këto nuk merren në konsideratë, ndodh që Modelet e Parashikimit të ecurisë të Covid 19, (Predicting Microbiology) të paraqitura nga disa studiues, nuk mund të shpjegojnë të dhënat dhe rastet për vende të veçanta, përfshi edhe Shqipërinë.. Në rastin konkret të Covid 19 shkon shprehja e doktorit në filmin ”Fuga dall’ Inferno” – “Përdorim ilaçe që i njohim pak, për sëmundje që i njohim më pak, tek të sëmurë që i njohim aspak”.

    Ekuilibri biologjik i njeriut me qënjet e gjalla në përgjithësi dhe me mikroorganizmat në veçanti

    Në natyrë, mikroorganizmat mund të jenë të dëmshëm por edhe të dobishëm për njeriun. Organizmi ynë është i populluar me mikroorganizma kudo ku ai ka kontakt me mjedisin e jashtëm. Ato jetojnë bashkë me ne dhe në ekuilibër biologjik midis tyre dhe organizmit tonë. Le të pëmendim dy shëmbuj, duke sqaruar edhe kuptimin e ekuilibrit biologjik.

    Mikroorganizmat intestinale (të zorrëve) te njeriu përbëhen nga shumë lloje mikrobiale në ekuilibër me njëri tjetrin. Ky ekuilibër nënkupton mungesën e mbizotërimit të një lloji ndaj llojeve të tjera. Kjo mikroflorë është shumë e dobishme për organizmin e njeriut duke ndikuar edhe në metabolizmin e tij. Por kur ne përdorim p.sh. antibiotikë pa kriter, shumë nga bakteret e zorrëve vriten dhe ekuilibri biologjik i kësaj mikroflore prishet. Pasojat mund të jenë të ndryshme, që nga myku në zorrë dhe deri në çrregullime metabolike të shkaktuara nga mbizotërimi i njërit apo tjetrit lloj në mikroflorën intestinale, siç është rasti i autikëve, në mikroflorën intestinale (të zorrëve) të të cilëve ndodhet me shumicë një mikroorganizëm i veçantë i quajtur Clostridium difficilis.

    E njëjta gjë ndodh edhe me mikroorganizmat e kavitetit oral (të gojës). Në kavitetin oral janë izoluar rreth 300 lloje bakteresh, përveç pak llojeve protozoarësh dhe majash. Nga vëzhgime të kryera si pjesë e programit mësimor me studentë në Laboratorin e Mikrobiologjinë Ushqimore (K.Sini, Universiteti Bujqësor i Tiranës), me material të marrë nga pjesa midis mishit dhe dhëmbëve nga studentë të ndryshëm, ka rezultuar që, nëse para 10 vitesh në mikroskop vëzhgoje mikroorganizma të pafund, vitet e fundit mezi gjen baktere shuuumë të rralla, situatë që sjell si pasojë sëmundje të ndryshme sikundër stomatiti. Pse? Një shpjegim mjaft bindës do të ishte përdorimi gjithnjë e më shumë i produkteve tregëtare me përmbajtje të lartë kimikatesh për higjienën e gojës, si dhe konsumi gjithnjë e më i shpeshtë i ushqimeve të fabrikuara që përmbajnë plot konservantë kimikë.

    Me qëllim që të kuptojmë më mirë diskutimin e mëtejshëm, është me vlerë që të kujtojmë shkarazi disa njohuri bazë mbi natyrën e mikroflorës. Mikroflora mikrobiale që bashkëjeton me organizmin e njeriut fillon të formohet që në proçesin e lindjes së njeriut dhe përfundon në moshën 3 vjeçare duke patur të njëjtën përbërje mikrobiale me të rriturit por në numër dhe peshë më të pakët. Është provuar shkencërisht se fëmijët e lindur në mënyrë natyrale preken nga sëmundjet infektive shumë më pak se fëmijët e lindur me operacion. Veprimi pozitiv i kësaj mikroflore mikrobiale që popullon dhe bashkëjeton me organizmin e njeriut ndaj infeksioneve të ndryshme, shprehet në tre drejtime: 1. Si konkurente për ushqim.  Bakteret dhe kërpudhat kanë nevojë për ushqim që të shumëzohen, i cili  është aq më i pakët për to, sa më e shumtë dhe e shumëllojshme të jetë  mikroflora që bashkëjeton me organizmin tonë ; 2. Efekti “vaksinues”:  mikroflora vepron si një vaksinë që organizmi i njeriut të formojë antitrupat për tu ruajtur nga infeksione mikrobiale të të njëjtës natyrë por në numër shumë më të madh dhe virulencë më të lartë; 3. Efekti “ambient agresiv “: mikroflora krijon një ambient agresiv (të papërshtatëshëm) që pengon shumëzimin e agjentëve biologjik të huaj për trupin, ambient i krijuar me anë të lëndëve (metabolitëve) që kjo mikroflorë sekreton (nxjerr) në trupin e njeriut me të cilin bashkëjeton (hundë, gojë, zorrë, lëkurë, vaginë etj). Kurse në rastin e koronavirusit, që sikundër të gjitha viruset nuk ushqehet për tu shumëzuar sepse nuk ka organele (organe), ndikimi pozitiv i mikroflorës mikrobiale të njeriut shprehet në dy drejtimet e fundit (efekt “vaksinë” dhe “ambient agresiv”), sepse si çdo qënje, edhe koronavirusi apo Covid 19 duhet të gjejë shtratin e përshtatshëm që të mund të shumëzohet.

    Por kush janë faktorët që ndikojnë në sjelljen (furnizimin) e mikroflorës që popullon dhe bashkëjeton me organizmin e njeriut? Dy faktorët kryesore që lidhen me stilin e jetesës të përmendur më lart janë ambienti ku lind dhe jeton njeriu dhe cilësia e të ushqyerit të tij. Në kohët e murtajës, kolerës, tifos, gripit spanjoll etj, të dy këta faktorë ndikonin bashkarisht, sepse përzjerja e ujrave të zeza me atë të pijshëm dhe kushtet higjienike të jetesës, nga njëra anë dhe nënushqyerja dhe kequshqyerja nga ana tjetër, kishin për rezultat numër vdekjesh që ja kalonin atyre të shkaktuar nga luftat midis njerëzve. Por nëse për murtajën, nuk dihej pse vdekjet ndërpriteshin papritur dhe njerëzit që banonin në të njëjtin vend të izoluar nuk prekeshin (përshkruar edhe nga Albert Camus në librin e tij “Murtaja”), për kolerën, zbuluesi i shkaktarit të saj Robert Koch, vërejti diçka shumë të rëndësishme: njerëzit e shëndetshëm, pa probleme në aparatin tretës, mund të prekeshin nga kolera por e kalonin atë pa pasoja fatale! Ky vëzhgim që e ndihmoi shkencëtarin mjek gjerman të vërtetonte shkaktarin e kolerës hedh dritë mbi faktin e sotëm me koronavirusin: ka njerëz të infektuar me Covid 19 pa simptoma (pra, që nuk sëmuren), ka njerëz që e kalojnë lehtë, ka nga ata që e vuajnë shumë, kurse vdekjet ndodhin në përgjithësi tek njerëz me sëmundje shoqëruese. Kjo ndodh edhe me viruse dhe baktere të ndryshme patogjene që merren nga uji dhe ushqimi. Konkluzionin e Robert Koch në rastin e kolerës mund ta shprehim në mënyrë më të përgjithësuar si më poshtë: vdekjet nga infeksionet virale, bakteriale apo patogjenike në përgjithësi ndodhin në personat e imunodeprimuar (me sëmundje shoqëruese) dhe të moshuar, sistemi imunitar i të cilëve është i “plakur”. Duke u kthyer përsëri tek pyetjet ndaj koronavirusit, dhe në analogji me vrojtimet e Robert Koch, do mund të thonim se “dinakëria, pabesia apo sjellja e koronavirusit” dhe efekti i tyre tek njeriu varen nga gjendja shëndetësore e personit që ka rënë në kontakt me të : njerëzit e shëndetshëm nuk preken (asimptomatikë) ose preken pak dhe sëmuren ata që kanë patur probleme serioze me shëndetin. Prandaj, pyetjes se pse mund të preket nga koronavirusi vetëm 40-70% të popullatës (që është quajtur si përqindje që përbën edhe imunitetin e tufës) dhe jo 100% të popullatës, mund ti pergjigjemi duke thënë se, ndërmjet faktorëve hipotetikë të ndryshëm (imuniteti i tufës, kujdesi dhe “shanci” i një pjese të popullsisë që nuk e ka kontaktuar sëmundjen infektuese, ….), përparësia do i përkiste shpjegimit të mëposhtëm:  përqindja që nuk preket nga koronavirusi përbën pjesën e popullatës së shëndetëshme.

    Cila është lidhja e shëndetit me mikroflorën që bashkëjeton me organizmin tonë? E thënë në mënyrë figurative, kjo mikroflorë shërben si një ushtri që na mbron nga sulmet e mikroorganizmave të dëmshëm (patogjenë), nëpërmjet mekanizmave të shpjeguar më lart. Si e tillë, ajo duhet të ketë në përbërje të gjitha llojet e “armëve” dhe jo vetëm disa prej tyre. Prandaj mikroflora që bashkëjeton me njeriun nuk duhet të jetë “e varfër” në lloje, por e shumëllojshme.

    Por çfarë i dallon njerëzit me mikroflorë të shëndetëshme nga ata me mikroflorë të pashëndetëshme? Cili është faktori përgjegjës që dallon njerëzit e shëndetshëm nga ata të pashëndetshëm. Në kohën e sotme, nuk mund të flitet më për probleme higjienike apo epidemi nga uji i pijshëm (p.sh. si në kohën e murtajës apo kolerës), prandaj, faktori kryesor që ndikon në shëndetin e njeriut dhe në mikroorganizmat që bashkëjetojnë me të, është cilësia e të ushqyerit.

    Cilësia e të ushqyerit, metabolizmi, mikroflora dhe shëndeti

    Le të rikujtojmë se bashkëjetesa e njeriut me natyrën, nënkupton edhe ushqimin që ai merr prej saj, gjë që ka një rëndësi kryesore, si për metabolizmin e tij, ashtu edhe për mikroorganizmat që e popullojnë atë. E rikujtuam këtë për të sqaruar marrëdhënjet midis ushqimit  metabolizmit dhe mikroflorës (apo mikrobiotës, siç emërtohet së fundmi) dhe rezultantes së tyre: shëndeti.

    Argumentimi se përse ushqimi është faktori kryesor që ndikon në shëndetin e njeriut është trajtuar ndër të tjera në artikujt “Ushqimi, ky mik dhe armik i shëndetit” referenca [2], dhe “Kimikatet në ushqime dhe kanceri. Si mund të mbrohemi”  Referenca [3]. Në  artikujt e mësipërm është sqaruar ndëveprimi i ushqimit me metabolizmin e njeriut. Por, cila është lidhja e ushqimit dhe metabolizmit me mikroflorën që na popullon dhe si ndikojnë këto në shëndetin tonë? (Referenca [4]). Pyetjes së mësipërme po i përgjigjem me konkluzionet e marra nga Referenca [4]: 1. Ushqimi përbën faktorin kryesor të popullimit të mikroflorës intestinale në numër dhe lloje (faktori i jashtem), 2. Përbërja në lloje e mikroflorës intestinale dhe ekuilibri biologjik i saj, seleksionohet dhe përcaktohet nga metabolizmi i çdo individi human, që ndryshon edhe me moshën e tij (faktori i brëndshëm) dhe 3. Nëse njihet, kurohet apo shërohet metabolizmi, ndryshon edhe përbërja e llojeve të mikroorganizmave që popullojnë organizmin e njeriut, duke eleminuar ndikimin negativ të saj në metabolizëm dhe në shëndetin e njeriut

    Pra, egziston një trekëndësh: ushqim  metabolizëm  mikroflorë. Të tre komponentët e këtij trekëndëshi ndikojnë reciprokisht tek njëri tjetri.

    Le të japim një shëmbull. Organizmi i njeriut ka organe (p.sh. mëlçia) që depozitojnë ose ruajnë rezerva elementësh ushqyes për ti përdorur në rastet kur ushqimi i përditshëm nuk i ofron. Konsumatori blen dhe konsumon çdo ditë për tu ushqyer, por kur blen më shumë se ç’duhet apo blen ushqime të gabuara, apo nuk ka vend në dollape, ai i lë diku pa i përdorur për një kohë të gjatë. Këto ushqime të mbetura acidifikohen, lëngëzohen dhe lënë njolla në sipërfaqen e vendosur deri në grryerjen e saj. Nuk është ndonjë çudi që kjo gjë të ndodhë edhe në organizmin tonë me mbetjet, ushqimet e gabuara apo kur konsumojmë shpesh ushqime të fabrikuara që përmbajnë kimikate (me emrin e bukur “konservantë”), kur konsumojmë ushqime bimore jashtë stine (Referenca [5]) apo produkte shtazore që kanë në përmbajtje respektivisht, pesticide, antibiotikë, hormone etj, pra në përgjithësi mbetje kimikatesh që nuk janë të natyrshme për përmbajtjen biokimike të produktit. Të gjitha së bashku ndikojnë edhe në ekuilibrin biologjik të mikroflorës që popullon organizmin tonë, duke favorizuar pak lloje në disfavor të të tjerave. Kur disa lloje mikrobiale mbizotërojnë ndaj mikroorganizmave të tjerë, metabolitët (lëndët) që ata prodhojnë shkaktojnë sëmundje të ndryshme të njohura dhe të referuara kudo në literaturën botërore.  Duke vazhduar analogjinë e mësipërme, “Njollat” që lënë ushqimet e stokuara për kohë të gjate janë sëmundjet që ne pësojmë, kurse “grryerja” është dëmtimi i geneve të ADN që mund të përbëjë fillesën e kancerit.

    Nga ana tjetër, mungesa e shumëllojshmërisë së ushqimit apo/dhe ushqimeve të gabuara (në angisht dirty foods kurse në shqip, ushqime të pista), ka për pasojë mungesën e një pjese të makro dhe mikroelementëve ushqimorë, për të cilat ka nevojë organizmi ynë. Mungesa e tyre mund të krahasohet me atë krimbin, në thënjen e Kadri Roshit në filmin “Rrethimi i vogël”, i cili na grryen trarët e shtëpisë dhe ne mësohemi me nanurisjen e tij dhe nuk kuptojmë kur na bie çatia mbi kokë! Pse? Sepse të mos harrojmë se këto mungesa ndikojnë në mosfunksionimin normal të organizmit në tërësi, përfshirë edhe sistemin tonë mbrojtës (imunitar), i cili përbën “ushtrinë” tjetër që na mbron, i ndodhur në gjak, limfë dhe deri në normalitetin metabolik të çdo qelize të organizmit tonë. Këto mungesa mund të shpjegojnë rastet kur analizat e gjakut mund të tregojnë se numri i qelizave të bardha të gjakut është në kufijtë normal, por jo aktiviteti i tyre. Meqë sistemin imunitar e krahasova me ushtrinë, le të kujtojmë betejën Ruso-Japoneze në kohën kur skorbuti bënte kërdinë ndër marinarët. Megjithëse rusët ishin më të shumtë në numër, shumica e tyre ishin të sëmurë nga skorbuti (mungesë e vitamins C). Fitoi flota japoneze dhe pyetjes se e kujt ishte merita e fitores, admirali japonez ju përgjigj:  e mjekut tonë që i dha lëng limoni marinarëve duke i shpëtuar nga skorbuti.  Është interesante të përmendim edhe një vrojtim nga tre institucione shkencore në Francë, përfshirë edhe Institutin Pasteur ( Referenca [6]): pacientet e infektuar rëndë nga Covid-19 kanë mungesë të “interferonit tipi I”, grup proteinash të formuara në organizmin e njeriut dhe  të lëshuara nga qelizat bujtëse (të prekura) si reagim i organizmit të shëndetshëm ndaj pranisë të disa viruseve. Ka shumë mundësi që pamundësia e formimit të “interferonit tipi I” tek të sëmurët rëndë me Covid-19 të jëtë pjesërisht apo tërësisht e lidhur me mungesën e elementëve ushqyes përkates dhe impaktit direkt në metabolizëm dhe mikroflorë (trekëndëshi ushqim  metabolizëm  mikroflorë, [1-6]), apo me efektin frenues të kimikateve që shoqërojnë ushqimin “pis”.

    Mbas viteve 90të, në Shqipëri filluan të futen plot ushqime të fabrikuara që konsumohen nga shumë fëmijë dhe të rinj. Nga ana tjetër, zhvillimi i industrisë ushqimore, shumë i nevojshëm për përpunimin dhe tregëtimin në forma të tjera të ushqimeve që mund të prishen, është shoqëruar në mjaft raste me përdorim mbi normat të konservantëve kimikë. Në tregun shqiptar gjenden ushqime të fallsifikuara, gjë që detyroi qeverinë Rama të ashpërsojë ligjin për fallsifikimin e ushqimeve. Produktet ushqimore me origjinë bimore jashtë stine janë kthyer në “normalitet”. Nuk po zgjatem më në detaje të mëtejshme, por është kjo situatë dhe ndikimi në shëndetin e popullatës që po alarmon mjekët për zbritjen në mosha më të reja se normalja e sëmundjeve të ndryshme kronike, përfshirë edhe kancerin. Prandaj nuk duhet të na habisë fakti se pse në Shqipëri mosha e të prekurve dhe viktimave nga Covid 19 është më e re se në Itali.

    Çfarë duhet bërë ?

    Është e padiskutueshme që masat “barrikadë” sikundër mbajtja e maskës, ruajtja e distancës mes njerëzve, mosprekja e fytyrës dhe larja e shpeshtë e duarve duhet të zbatohen me rigorozitet. Por këto janë masa efikase për të ngadalësuar dhe/apo penguar (le të shpresojmë) përhapjen e koronavirusit, por jo për ta shëruar atë. Sot nuk ka asnjë parashikim se kur mund të ndërpritet zinxhiri i transmetimit të Covid 19. Prandaj, minimizimi sa më shumë i një pandemie të tillë, por edhe i rreziqeve të tjera biologjike që mund të vinë në të ardhmen, mund të sigurohet vetëm nëpërmjet një organizmi të shëndetshëm në sensin e diskutuar në këtë artikull apo në referencat e përmendura në fund të tij.

    Si përfundim do thoja që, pavarësisht termave shkencore apo « politike » të përdorura në këtë artikull në kuadrin e covid 19 dhe të pandemisë që shkaktoi ai, një zgjidhje shumë efikase dhe fare e thjeshtë është të ushqyerit në mënyrë të shëndetëshme.  Sikundër është theksuar në artikuj të tjerë, jeta e modernizuar ka berë që praktikat bazë të të ushqyerit të shëndetshëm të mos gjejnë terren të përshatshëm për zbatim, apo edhe të humbasin. Nëse rikthimi në vlerat e kulturës së të ushqyerit të shëndetshëm deri një vit më parë mund te shihej me neglizhencë, eksperienca katastrofike me Covid 19 gjatë vitit 2020, tregon se ky rikthim në vlerat e vërteta duhet bërë « urgjentisht ».

    Si ? Njerëzit kanë nevojë të informohen e të njohin argumentet se përse dhe si duhet të ushqehen, që të bëhen të ndërgjegjshëm për tu mbrojtur nga sëmundjet në përgjithësi dhe korornavirusi aktualisht. Ky informacion duhet ngritur në rangun e një “shkollë edukative », mësimet e të cilës duhet të kenë për bazë rekomandime të nxjerra nga një forum shkencëtarësh mjekë dhe të disiplinave të tjera shkencore. Këto rekomandime duhet të përcillen nga mediat, që duhet të shërbejnë si vektori më i përshtatshëm dhe më i ndjekur nga populli për përsëritjen e vazhdueshme deri në ngulitjen në nivel “instiktiv” të këshillave mbi praktikat ushqimore të shëndetëshme.

    Artikulli i mëparshëmAksident me dëme të shumta afër Elbasanit, Policia në vendngjarje
    Artikulli i radhësStudimi alarmant: Covid-19 përshpejton procesin e plakjes, ja çfarë i ndodh pas 2 vitesh një 30-vjeçari të infektuar