Provinca e Quebec në Kanada nisi një operacion policor në më shumë se 1000 lokale dhe restorante për të monitoruar zbatimin e rregullave të nevojshme për të frenuar përhapjen e koronavirusit, në një kohë kur autoritetet i frikësohen një vale të dytë.
Zyrtarja më e lartë e Shëndetësisë në Kanada paralajmëroi këtë javë se sistemi shëndetësor mund të humbasë aftësinë për të menaxhuar pandeminë pasi vendi raportoi mesatarisht 779 raste të reja çdo ditë gjatë javës së fundit. Ashtu si në Quebec edhe në Ontario autoritetet fajësojnë grumbullimet në ambientet e mbyllura për rritjen e numrit të të infektuarve.
“Ne duhet të përdorim çdo mjet dhe çdo gjest që kemi në dispozicion për të shmangur një valë të dytë në Quebec”, tha Ministrja e Sigurisë Publike Genevieve Guilbault.
Kanadaja raportoi 1,120 raste të reja me koronavirus dhe 7 vdekje më 17 shtator. Quebec-u, provinca më e goditur e ka bërë të detyruar mbajtjen e maskave brenda ambienteve publike, ndalon shitjen e alkoolit pas mesnatës në bare dhe restorante dhe ka ndaluar vallëzimin dhe karaoke në klube.