Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar në Twitter një video të filmuar nga oborri i Shtëpisë së Bardhë, nga ku tha se është “shëruar” nga COVID-19 duke përdorur ilaçin eksperimental Regeneron – ku premtoi se ky ilaç do të jetë i qasshëm për të gjithë amerikanët – dhe atë pa pagesë.
Presidenti këtë deklaratë e bëri gjatë të mërkurës, pasi u rikthye në Shtëpinë e Bardhë pasi qëndroi për disa ditë në spitalin ushtarak Walter Reed, ku trajtohej pasi rezultoi pozitiv me COVID-19.
Ajo çfarë habiti të pranishmit ishte deklarata e tij kur edhe tha: “se infeksioni apo sëmundja e COVID-19 është bekim nga Zoti”.
“Mendoj se ishte bekim nga zoti. Kur dëgjova për këtë ilaç, ju thash ma jepni – ishte sugjerim i imi”, shtoi Trump duke pretenduar se është “shëruar” dhe vazhdimisht insiston se duhet çdo amerikan të trajtohet me ilaçet që ai i ka përdorur.
Trump është një në dhjetë njerëzit që ka marrë këtë ilaç, që ende është në fazën eksperimentale dhe që mëton të nxit prodhimin e antitrupave që luftojnë infeksionin.