Partia Demokratike ka kërkuar kërkon dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, pasi e akuzon për keqmenaxhim të situatës në spitale nga koronavirusi, duke u ndalur specifisht në rastin e fundit, ku ndërroi jetë një 53-vjeçar nga Ndroqi. Nga selia e Partisë Demokratike, ish-deputetja Oriola Pampuri deklaroi se vdekja e qytetarit të pafajshëm në dyert e spitalit është prova më e madhe se shëndetësia është në kolaps të plotë. Sipas saj, vdekja e Lutfi Çekirit është një krim shtetëror dhe përgjegjësia për këtë jetë të humbur është e qeverisë.
“Përgjegjësi i vetëm për këtë gjendje është Edi Ramën, i cili refuzon me kryeneçësi të pranojë dështimin e vet dhe të marrë e të realizojë planin e paraqitur nga kryetari i PD. Përgjigja e Edi Ramës dhe e Ogerta Manastirliut ishte vetëm propaganda, e cila ka mbjellë sot më shumë pasiguri në spitale, ka sjellë viktima të pafajshme, i ka lënë njerëzit në pamundësi për t’u mjekuar, duke i marrë edhe jetën… Kjo situatë e paprecedentë ka shqetësuar dhjetëra mjekë dhe familjarë të pashpresë, të cilët na kanë telefonuar dhe na kanë bërë me dije se pacientët me Covid-19 janë drejtuar për te Urgjenca, pasi spitali Infektiv është i tejmbushur. Kjo është e pafalshme! Kjo është alarmante! Kjo qeveri e paskrupull, e cila edhe në momentet më të vështira, nuk u përgjigjet qytetarëve, por vijon aferat korruptive dhe tenderat sekretë. Pasojat e kësaj papërgjegjshmërie dhe paaftësie ulëritëse janë ata njerëz të zakonshëm si Lutfiu i ndjerë, që e pësojnë me jetë indiferencën, arrogancën dhe zhvatjen e kësaj qeverie”- theksoi ajo.