Mjeku shqiptar në Spanjë, Kita Sallabanda, ka folur mbi situatën e pandemisë dhe masat që qeveritë duhet të merrnin.
Në një intervistë në ‘oranews’, mjeku është shprehur se rikthimi në karantinë është dështim i politikave të qeverive që nuk arrijnë të menaxhojnë situatën, duke thënë se patën katër muaj kohë që të testonin dhe të gjurmonin sëmundjen.
“Izolimi i njerëzve, karantina, është heqja e të drejtës kushtetuese të një qytetari. Për mua si mjek, karantina është dështim i politikave qeveritare. Kishin katër muaj kohë që qeveritë të merrnin masa për të bërë testime masive, kontrolle masive, për të bërë gjurmimin e sëmundjes dhe nuk e bënë. Njerëzit kanë filluar të protestojnë sepse janë të lodhur me këtë situatë.,” tha Sallabanda.
Ndër të tjera mjeku tha që edhe pse kanë kaluar muaj nga shfaqa e koronavirusit, nuk ka ende të dhëna të qarta për pandeminë. Sallabanda u shpreh se dhe vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk i ka të qarta dhe jep vazhdimisht udhëzime të ndryshme.
Ndër të tjera mjeku ka sqaruar edhe se virusi varet nga karakteristikat gjenetike të çdo personi për t’u infektuar, prandaj ka dhe raste që në një familje nuk preken të gjithë.
“Në një familje me katër veta një mund të jetë infektuar dhe tre jo.Kjo do të thotë se struktura gjenetike e tre pjesëtarëve të familjes është ndryshe nga ai person që është infektuar. Ka qenë shumë e çuditshme që kemi pasur burrin të infektuar dhe gruan jo dhe anasjelltas.Megjithëse nuk është vërtetuar, grupi i gjakut zero ka më pak mundësi për tu infektuar,” tha i ndër të tjera.