Në 14 Qershor 2018 në pyllin e Voskopojës u gjet i varur në një pemë 18-vjeçari Antonio Karafili. Personi, që e pa për herë të fundit në jetë Antonion, ishte e dashura e tij, Kejsi Spaillari, 17 vjeç nga Korça.
Ajo tregon, se atë ditë rreth orës 17:00 janë takuar me xhaxhain e saj dhe djalin e xhaxhait, për të sqaruar një sherr mes këtyre të fundit dhe Antonios. Debati u mbyll dhe Antonio e Kejsi shkuan në Voskopojë tek lokali i prindërve të Antonios, Taverna Mishel.
Në këtë moment, Kejsi kujton, se Antonio i bëri skena xhelozie, duke hedhur dyshime, se ajo kishte një lidhje tjetër. Ata u ndanë dhe rreth orës 20:00 të mbrëmjes Kejsi me të ëmën dhe vëllain e të dashurit, u ngjitën për në Voskopojë.
“Me Antonion kemi pasur lidhje dashurie prej 2 vjetësh dhe familjet tona ishin në dijeni. Atë ditë rreth orës 17:00 jemi takuar me xhaxhain tim dhe djalin e tij të vogël përballë një lokali për të sqaruar një sherr midis xhaxhait tim dhe Antonios. Më pas shkuam sërish në Voskopojë dhe ndaluam tek lokali i prindërve të Antonios, taverna “Mishel”. Antonio doli nga makina u ul në një gurë dhe ishte i stresuar e i nervozuar.
Ai dyshonte se unë kisha një lidhje të dytë për këtë dhe debatuam. I thashë hajde ikim për në Korçë, por më tha ik ti se unë do të rri këtej. Në qoftë se ka policë në rrugë më merr Misheli në telefon. Mbaj mend se më dha disa sende personale të Antonios, vëllait të tij Mikelit. U takova me vëllain e tij në Korçë tek Shën Mëria dhe morëm, Mozën, mamanë e Antonios. U ngjitëm për në Korçë”, ka dëshmuar.
Në këtë pikë e ëma e të ndjerit, Mimoza Karafili, tregon me detaje, sesi u njoftua nga e dashura e djalit, se ajo vetë e gjeti atë të lidhur e të pajetë në një pishë.
“Isha në dijeni që kishte një vajzë. Më merr në telefon, më thotë dua Mikelin të marr Mikelin se ka ngelur andej. Po pse vajtët në Voskopojë i thashë unë. Mirë thashë po e marrë unë Mikelin, por kur të takohesh me të do vij dhe unë. Vete kjo i jep djalit këtë orë, celularin e djalit. Ja jep kjo, i jep dhe varëse e floririt të këputur, pa kryq. Po iknim rrugës me shpejtësi me ide që të mos na zërë nata. Nxituam rrugës, e çorientuar ishte. Saç fole ti që nuk dije gjë, aq foli dhe ajo”, tha ajo.
Por në të njëjtën orë Kejsi i shkruan mamasë së saj.
“Mami do ngjitem në Voskopojë me Mozën dhe Mishelin se do vemë të gjejmë Andonin se është andej se ashtu u bë një gjë dhe s’kam bateri do të më fiket. Mami ashtu është bërë një muhabet”, i thotë ajo të ëmës.
“E kam dërguar në lokalin që kisha në pronësinë time. Ishe zotëria Rexhep Vathi, i ka dhënë thikën djalit dhe ka ardhur djali ia kam prerë vetë. E kam marrë fëmijën, e kam hipur në makinë dhe e kam zbritur vetë”, tregon e ëma e viktimës.
Familjarët dyshojnë, se djali i tyre nuk është vetëvarur, por është vrarë.
Në një bisedë mes të dashurës dhe të ëmës së të ndjerit, Kejsi thotë, se ka dyshime, që Antonion e kanë vrarë. Ajo tregon, se viktima kishte në kokë një gropë dhe dyshon dhe se aktin e vrasjes mund ta ketë kryer xhaxhai i saj Milen Spaillari.
Mimoza Karafili: Ai mua edhe parmbrëmë më doli në ëndërr, i thuaj Kejsit, se Kejsi i di të tëra, d.m.th më del përnatë pyet Kejsin…Pastaj, s’kishte arsye djali. Ai madje me ne ku grindeshe?
Kejsi Spaillari: Po be…
Mimoza Karafili: Ai madje, po ta kishte bërë vetë njëherë, si mund të bënte tatuazhin Andoni po të njëjtën ditë? Ai deri në orën 3:00, a ishte me mua?
Kejsi Spaillari: Po ne në darkë do shkonim, do flinim në Voskopojë.
Mimoza Karafili: Ti je më se e bindur, që ai…?
Kejsi Spaillari: Vetë nuk e bënte, po ai i bie e kanë vrarë, pastaj e kanë varur…
Mimoza Karafili: Po këtë themi edhe neve.
Kejsi Spaillari: Po!
Mimoza Karafili: I dukeshe vendi djalit, ishte i goditur në kokë.
Kejsi Spaillari: Po ishte gropë në kokë.
Mimoza Karafili: Ishte gropë në kokë…
Kejsi Spaillari: Po! Dhe më tha më vonë Andoni, pas ndonjë jave ndonjë jave e ca. E tha më ndjekin një makinë,- tha,- te pallati, te shtëpia dhe njëherë tha më dolën në (nuk kuptohet) me goditën me shkop dhe ika, ika me vrap. Një radhë, që e solla unë në shtëpi me makinë dhe e pamë Benzin, që ishte këtu e ndoqa, e ndoqa, d.m.th do futej për këtu pa makinën, iku për mbrapsht dhe doli këtej. E ndoqa po na iku.
Mimoza Karafili: Të ka njohur ty, prandaj…
Kejsi Spaillari: Na iku, prandaj dyshoj.
Mimoza Karafili: Ne ky thuaja…
Kejsi Spaillari: Te Miloja.
Mimoza Karafili: Ose ky Miloja do ketë futur ndonjë njeri tjetër…
Kejsi Spaillari: Njeri tjetër, këtë dyshoj, nuk e di tani, por…
Një tjetër dëshmitar okular është shprehur, se atë natë në pyll, ka parë dhe dëgjuar 4 persona, që bërtisnin. Por dëshmitari, 65-vjeçari Rexhep Vathi, dëgjohet të porosisë Kejsin të ketë kujdes, pasi ai vetë nuk do të tregojë, se çfarë ka parë atë natë në pyll.
Dëshmitari Rexhep Vathi: Unë pranoj, të kam çuar fjalë sot, me të sinjalizuar, ti ke dëgjuar vetë, ti i di vetë ma mirë sesa unë, ti sot.., nuk je budallaqe, ti sot futesh te një femër e pjekur, ëëë…?
Kejsi Spaillari: Po!
Dëshmitari Rexhep Vathi: Nuk je, po veten do ta ruash shumë Kejsi! Me mu do hapesh, si me u hap me babën tënd dhe duhet të m’i tregosh të gjitha, pavarësisht di gjë, s’di gjë, kam qenë aty, s’kam qenë aty…Duhet të mi tregosh të gjitha, se më ke krahë si babë… A të ka thirrur policia?
Kejsi Spaillari: Po, që në fillim.
Dëshmitari Rexhep Vathi: Çfarë të kanë thënë?
Kejsi Spaillari: Thjesht çfarë ndodhi, dëshminë e ngjarjes edhe kaq!
Dëshmitari Rexhep Vathi: Për atë muhabetin, që të thashë, s’bëhet gjë, s’e zgjidhna dot…
Kejsi Spaillari: Seriozisht?
Dëshmitari Rexhep Vathi: Ehee, jo për ndonjë gjë, kisha nevojë edhe unë për një pikë mbështetje këtu, se unë do vij çdo vit, po ja shihe ndonjë grua, që të jetë…
Kejsi Spaillari: Do shikoj, do pyes prapë, se vetë kështu për të njohur, pyeta dy-tre shoqe të mia, i thashë po të keni ndonjë në lagje, kemi ne këtej i thashë…
Dëshmitari Rexhep Vathi: Dëgjo, të jetë një femër serioze, që t’ia vlejë..!
Kejsi Spaillari: Kuptoj, po!
Dëshmitari Rexhep Vathi: Kupto drejt?
Kejsi Spaillari: Ehë..
Dëshmitari Rexhep Vathi: Se kam dhe një tip unë, megjithë mend jam verior, po nuk shkoj degë më degë. Kejsi, llafet janë shumë, shumë, shumë keq, ama mos harro, shteti e merr avash-avash, kushdo, që të të thërrasë, civil apo ushtarak, nuk di gjë… Unë kam pas frikë të shkoj në pyll, kam dashur të ulërij, kanë qenë ca jabanxhi aty, më erdhi turp, më erdhi zor, nuk bërtita, mora vëllain në telefon. Këto llafe i thua, se masanej me na thirr ne, me më thirr mua, unë flas ndryshe, flas gjëra, që ti mos të cënohesh fare, po për t’u ruajtur, duhet të ruhesh shumë !E shpërndajmë për sot?
Kejsi Spaillari: Po!
Dëshmitari Rexhep Vathi: Kejsi, okej?
Kejsi Spaillari: Po!
Dëshmitari Rexhep Vathi: Kaq di me të thënë! Mirupafshim!
Kejsi Spaillari: Pafshim!
Dëshmitari Rexhep Vathi: Ruaj veten!/tvklan