Ekzekutimi me plumb në kokë/ Dy pista hetimore: Daja i Toskës ka kryer një vrasje…

0
Detaje të reja/ Kush ishte Ahmet Toska? Babai i dy fëmijëve u vra 200 metra  larg shtëpisë -

Një ditë pas ekzekutimit të 50-vjeçarit Ahmet Toska në lagjen “Sheq i Madh”, në Fier, Policia ka ngritur dy pista kryesore hetimi.

Dyshimet e para janë se 50-vjeçari Toska mund të jetë vrarë për hakmarrje, pasi daja i tij ka kryer një vrasje disa vite më parë, ndërkohë që pista e dytë e hetimeve është përqendruar në një konflikt të mundshëm për pronat brenda familjes. Kjo pasi ata janë 4 fëmijë, dy nga nëna dhe dy nga babai, pra nga dy martesa të ndryshme, shkruan Panorama.

Në të njëjtën kohë Policia dhe prokuroria nuk përjashtojnë edhe pista të tjera që mund të kenë lidhje me detaje ende të panjohura për hetimin. Në pyetje janë marrë gruaja dhe fëmijët e viktimës, por edhe familjarët e tjerë motra, vëllezër, nipër e të afërm të familjes.

Edhe pse nuk jepen shumë detaje, mësohet se askush nga të pyeturit nuk ka pasur pistë dyshimi apo person konkret që mund të ketë lidhje me vrasjen. Ajo që Policia po heton janë hasmëria nga daja, i cili dyshohet se ka bërë një vrasje para shumë vitesh.

Në të njëjtën kohë Policia dhe organet e hetimit po marrin në pyetje edhe të njohur të familjes dhe kolegë, me të cilët Ahmeti kishte marrëdhënie pune. Ky i fundit punonte prej vitesh në një pikë karburanti, ndërsa bënte edhe peshkim në kohën e lirë. E shoqja e tij punonte në një furrë buke.

Ditën e ekzekutimit, 50-vjeçari ka qenë duke shoqëruar të shoqen për në punë si çdo ditë tjetër.Hetuesit kanë thënë se autori ka qëlluar me tri plumba mbi Ahmet Toskën, nga të cilët një plumb e ka prekur në kokë dhe 2 të tjerë në zemër, duke bërë që viktima të vdesë në vend.

Në të njëjtën kohë, hetuesit thonë se autori ka qenë 5 ose 6 metra larg viktimës dhe gruas së tij. Ai ka qëlluar në drejtim të shënjestrës duke ruajtur gruan të paprekur nga asnjë plumb.

Kjo, sipas hetimit, tregon se objektivi i tij ka qenë i qartë për të eliminuar burrin. Nuk përjashtohet mundësia edhe e një ekzekutuesi me pagesë, por kjo mbetet ende e pazbardhur.

Ahmet Toska u ekzekutua një ditë më parë vetëm pak metra larg shtëpisë së tij dhe duket se autori e ka studiuar lëvizjen e 50-vjeçarit, i cili e bënte çdo mëngjes. I maskuar, ai i është afruar çiftit Toska duke qëlluar ndaj burrit.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 të së hënës, në lagjen “Sheq i Madh”. Shtetasi Ahmet Toska, banues në lagjen “Sheq i Madh”, është ekzekutuar vetëm pak metra larg banesës së tij, ndërsa dëshmitare okulare ka qenë gruaja e tij, e cila ka parë nga afër të gjithë skenën e krimit.

Siç ka treguar vetë bashkëshortja e viktimës, autori i maskuar është larguar me vrap, ndërsa ulërimat e saj kanë alarmuar lagjen. Viktima ishte duke përcjellë gruan e tij për në punë, ashtu si çdo ditë tjetër, ndërkohë që autori ende i paidentifikuar e ka qëlluar me armë zjarri nga afër në kokë.

Burimet nga Policia bënë të ditur se viktima punonte në një karburant si dhe merrej edhe me peshkim, ndërsa e shoqja punonte në furrë buke. “Ishim duke shkuar në punë. Personi ishte me maskë. E qëlloi në kokë dhe u largua me vrap. Kërkova ndihmë nga fqinjët por ishte shume vonë”, ka thënë për Policinë gruaja, e cila është shfaqur në gjendje shumë të rënduar psikologjike.

Ndërkohë, skenën e vrasjes së 50- vjeçarit e kanë parë edhe fqinjët e tij. Ata janë shprehur për mediat se viktima është një njeri i mirë dhe se nuk njihet si problematik.

“Dëgjuam krisma armësh, i njohim si familje e mirë. Po shoqëronte gruan për në punë, në një furrë buke. Ai vetë punonte në një pikë karburanti. Dëgjova ulërima, bashkëshortja po bërtiste ‘ma vranë, ma vranë’. Autori ka qenë pa makinë, nuk kemi parë asnjë makinë të kalojë. Ahmeti ishte njeri i mire”, ka thënë një banor i lagjes./Panorama

Artikulli i mëparshëmPjesë në aktivitet kriminal/ Kampioni i botës, Elis Guri dënohet me 7 vite burg
Artikulli i radhësNga Çekia në Belgjikë, çfarë po ndodh me pandeminë. Von der Leyen: Vendet e BE mund të marrin vaksinën e COVID-19 në prill