Persona të armatosur kanë grabitur, mëngjesin e së martës, një bankë në qytetin italian të Milanos.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, grabitësit e armatosur hynë në bankë në sheshin Ascoli dhe kërcënuan të pranishmit aty duke i detyruar t’iu jepnin paratë, për t’u larguar më pas përmes kanalizimeve të ujërave të zeza.
Tashmë një operacion i gjerë policor ka nisur për kapjen e autorëve përgjegjës për grabitjen e bankës.
Hetuesit edhe pse të rezervuar tregojnë se grabitësit hynë në degën e bankës “Credit Agricole” përmes një vrime të hapur nga një pallat ngjitur. Ata kapën në befasi drejtorin dhe dy punonjësit e tjerë, të cilët i kërcënuan me armë që t’iu dorëzonin paratë.
Fatmirësisht ata kanë marrë vetëm paratë që ndodheshin në kasat e sigurisë pasi kasaforta nuk ishte hapur ende. Sipas të dhënave paraprake, grabitësit ishin 6. Më pas ata hodhën tymuese për t’u futur në kanalizimet e ujërave të zeza dhe u larguan.