Interpoli ka sjellë në Tiranë, Besmir Xhokrosën, 29 vjeç, lindur në Burrel, autor i një pengmarrjeje në vitin 2019 në Sarandë. Xhokrosa kishte rrëmbyer një person me inciale B.Z dhe e mbante fshehur në Fushë Krujë, duke kërcënuar familjen e viktimës që të paguante katër mijë euro për t’ua kthyer të birin. Por, pengmarrësi u zbulua dhe u arratis jashtë vendit, për t’u kapur më pas nga policia greke.
Tashmë Besmir Xhokrosa ka mbërritur me pranga në Tiranë për të vuajtur dënimin. Policia njoftoi sot se kjo u mundësia falë bashkëpunimit me Interpol Athinën për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në vijim njoftimi i plotë:
Bashkëpunimi me Interpol Athinën vë në pranga me qëllim ekstradimi një 29-vjeçar, për rrëmbim personi me qëllim dhenie të një shume parash në këmbim të lirimit.
Nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Athina/Greqi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar B. Xh., 29 vjeç, lindur në Burrel.
Shtetasi B. Xh. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana dhe falë shkëmbimit të informacionit që dispononte Departamenti i Policisë Kriminale dhe Interpol Tirana për vendndodhjen e këtij personi, në bashkëpunim me Interpol Athinën u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë i ka vendosur shtetasit B. Xh., masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Shtetasi B. Xh., në bashkëpunim me një person tjetër, ka rrëmbyer në qytetin e Sarandës, në vitin 2019, shtetasin me inicialet B. Z. dhe e ka mbajtur peng në Fushë-Krujë. Rrëmbyesit i kërkuan familjes së personit të rrëmbyer 4000 euro për lirimin e pengut.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën u bë i mundur ekstradimi i tij drejt vendit tonë.