Këshilli i Ministrave ka vendosur uljen e tarifave për të gjithë kompanitë që përdorin burimet ujore sipërfaqësore dhe nëntokësore për prodhimin e ujit mineral dhe natyral të ambalazhuar, që është i destinuar për pirje. Sipas vendimit të ri, përdorimi i burimit ujor sipërfaqësor për ujë të ambalazhuar do të jetë 4.5 lekë/m3 nga 5 lekë/m3, që ishte deri më tani. Ky ndryshim prek ato kompani që prodhojnë më pak se 150 shishe/në orë, ndërkohë që ato sipërmarrje që e kalojnë këtë normëm prodhimi do të vijojë në të paguajë nga 5 lekë/m3.
Ndërkaq, sa i takon përdorimit të ujërave nëntokësore, tarifa ulet kur përdorimi është më i vogël apo i barabartë me 5 hektar. Me konkretisht këto kompani do të pagujnë tarifë në masën e 11.8 lekë/m3 nga 12.3 lekë/m3 që paguanin deri më tani.
Vendimi i ri i qeverisë ka ndryshuar edhe afatet për likuidimin e këtyre tarifave. Deri më tani, detyrimet financiare nga këto subjekte derdheshin çdo tre muaj, ndërkohë që me ndryshimet e miratuar s’ka një afat të përcaktuar, por thjesht specifikohet se tarifat arkëtohen në emër të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe derdhen në buxhetin e shtetit. Kjo nuk është hera e parë që qeveria ndërmerr incentive fiskale për sektorë të veçantë, pasi vetëm pak ditë më parë miratoi përjashtimin nga taksa e rentës minerare për kromin dhe bakrin e përpunuar./SCAN