Kosovë/ LDK: Kemi 64 vota, shumë shpejt formojmë qeverinë Hoti

0

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se sot ose nesër do të nënshkruajnë koalicionet me partitë tjera dhe pastaj do të dorëzojnë emrin e mandatarit te presidenti i shtetit, Hashim Thaci.

Pas mbledhjes së kreut të LDK-së, Isa Mustafës me grupin parlamentar, para mediave ka folur shefi i deputetetëve të Lidhjes Demokratike, Arben Gashi. Ai ka bërë të ditur se koalicionet do të formalizohen shumë shpejt.

“Po presim që me formalizim e koalicionit, që do të bëhet shumë shpejt, besoj që brenda ditës ose nesër të procedojmë me kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për formimin e qeverisë. Akoma nuk e kemi marrë po besoj që sapo ti kryejmë çështjet që kanë të bëjnë me formimin e koalicioneve, dhe 61 deputetë, do ta njoftojmë presidentin”, ka deklaruar ai.

I pyetur se pse s’ka qenë në takimin e sotëm edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani, Gashi tha se e njëjta kishte marrë ftesë.

“Votë e mjaftueshme konsiderohen në momentin kur nënshkruhen koalicionet, ne ende si kemi nënshkruar, besojmë që sot ose nesër. Të gjithë deputetët përfshirë zonja Osmani ka qenë e ftuar, po besoj që ka pas diçka nxanë në agjendë”, tha ai, derisa ka bërë të ditur se Lista Serbe do të jetë pjesë e koalicionit dhe do të kenë një zëvendëskryeministër.

“64 vota i kemi. Lista Serbe me sa di unë do të jetë pjesë e koalicionit, bohet koalicioni, lista Serbe ashtu kshtu e ka numrin e caktuar të përfaqësimit në institucione Njëri nga ministrat e Listës Serbe do të jetë zv.kryeministër”, shtoi ai, raporton Express.

Shefi i deputetëve të LDK’së tha se nuk e di nëse kreu i AKR’së, Behgjet Pacolli do të mund të jetë pjesë e seancës ku votohet qeveria e re.

“Sa i përket z.Pacolli ju e dini që nëse na ka mësuar diçka çështja e koronës, ka qenë që të bashkëpunojmë në distancë, nuk e di a do të jetë prezent, po kryetari i LDK’së dhe kandidati për kryeministër kanë biseduar me të”, tha i njëjti, teksa ka folur edhe për paralajmërimin e LVV’së se do të ankohen në Kushtetuese.

“Mendoj që kemi këndvështrime të ndryshme, letra e presidentit s’ka bazë për të shkaur në Kushtetuese, dekreti është diçka tjetër, është e drejtë e kujdo që konsideorn që ju ka mohuar një e drejtë që t’i drejtohet Kushtetueses, në këtë rast Vetëvendosje mund t’i drejtohet”, shtoi ai.

Gashi ka bërë të ditur se sot nuk janë diskutuar emrat për ministra.

“Sot nuk kemi disku për emra të përveçëm, në parim cilat janë orientimet tona, çështja e ministrave iu është besuar kandidatit për kryeministër me kryesinë e partisë po ashtu dhe grupi parlamentar do të njoftohet për këtë çështje. Sapo të përfundohen koalicionet do të drejtojmë emrin. Unë përsërita tri herë që shpresojmë besojmë që brenda ditës sotme dhe nesër do të mbyllen koalicionet dhe pastaj procedojmë me emrin te presidenti”, tha ai.

Artikulli i mëparshëmManjani ironizon qeverinë: Me Kodin e ri Penal, s’duhej të lëvizte miza, as ‘babai i kombit’ s’i bën dot derman
Artikulli i radhësJuventus gati “revolucioni” në merkaton e verës