Ditën e sotme Vjena u përfshi nga një protestë masive prej mbi 10 mijë qytetarësh. Shkak i protestës u bënë propozimet e kancelarit Sebastian Kurz për të shtuar masat shtrënguese anti-Covid. Por kjo nuk u prit mirë nga qytetarët, të cilët e kundërshtuan me forcë këtë propozim, madje kërkuan edhe dorëheqjen e kancelarit Kurz.
Ekspertët e shëndetit publik, pasi takuan disa zyrtarë të qeverisë thanë se nivelet e infeksionit ishin shumë të larta për të marrë në konsideratë lehtësimin e kufizimeve, ndërsa ditën e nesërme qeveria pritet të njoftojë zyrtarisht se çfarë do të bëhet.
Ndërkohë, edhe në Francë, rrugët e Parisit u mbushën nga demonstrues, të cilët kundërshtuan projektligjin e sigurisë. Ky draft ka për qëllim të ndalojë publikimin e të dhënave të oficereve të policisë.