Nga Bill Gates
Nuk ka dyshim që Shtetet e Bashkuarae humbën mundësinë për të qenë një hap përpara koronaviusit të ri. Por hapësira për të marrë vendime të rëndësishme nuk është mbyllur. Zgjedhjet që ne dhe udhëheqësit tanë bëjmë tani, do të kenë një ndikim të madh në atë, se sa shpejt shifrat e rasteve do të fillojnë të bien, sa kohë ekonomia do të mbetet e mbyllur dhe sa amerikanë do të duhet të varrosin një njeriun e tyre të dashur, për shkak të covid-19.
Përmes punës sime me fondacionin Gates, kam folur me ekspertë dhe udhëheqës në Uashington dhe në të gjithë vendin. Eshtë e qartë për mua se duhet të ndërmarrim tre hapa.
Së pari, kemi nevojë për një qasje të qëndrueshme mbarëkombëtare për izolimin. Pavarësisht thirrjeve nga ekspertët e shëndetit publik, disa shtete dhe konte, nuk janë mbyllur plotësisht. Në disa shtete, plazhet janë ende të hapura; në të tjerë, restorantet ende shërbejnë ushqim në tryeza.
Kjo është një recetë për katastrofë. Për shkak se njerëzit mund të udhëtojnë lirshëm nëpër linjat shtetërore, po kështu mund të bëjë edhe virusi. Udhëheqësit e vendit duhet të jenë të qartë: mbyllja kudo do të thotë mbyllje kudo. Derisa shifrat e rasteve të fillojnë të bien nëpër Amerikë – gjë e cila mund të zgjasë 10 javë ose më shumë – askush nuk mund të vazhdojë biznes si zakonisht, ose të lehtësojë masat e izolimit. Çdo konfuzion në lidhje me këtë pikë, vetëm sa do të zgjasë dhimbjen ekonomike, do të shtojë shanset që virusi të rikthehet dhe do të shkaktojë më shumë vdekje.
Së dyti, qeveria federale duhet të shtojë testimet. Shumë më tepër teste duhet të vihen në dispozicion. Ne gjithashtu duhet të mbledhim rezultatet në mënyrë që të mund të identifikojmë shpejt vullnetarët potencialë për studime klinike, dhe të jemi të sigurt se kur është koha për t’u kthyer në normalitet. Ka shembuj të mirë për t’u ndjekur: Shteti i Nju Jorkut, kohët e fundit zgjeroi kapacitetin në deri më shumë se 20,000 teste në ditë.
Eshtë bërë gjithashtu një përparim në metodat më të efektshme të testimit, siç është vetë-tamponimi i zhvilluar nga Rrjeti i Vlerësimit të Coronavirus të Seattle, i cili lejon pacientët të marrin vetë një mostër, pa e ekspozuar një punonjës të shëndetësisë. Unë shpresoj se kjo dhe risi të tjera në testim, do të përhapen në të gjithë vendin së shpejti.
Edhe kështu, kërkesa për teste me siguri do të tejkalojë ofertën për ca kohë, dhe tani, nuk është e qartë se kush i bën ato pak teste që janë në dispozicion. Si rezultat, ne nuk kemi një ide të qartë se sa raste ka, ose ku virusi ka të ngjarë të shkojë më tutje, dhe do të jetë e vështirë të dijmë nëse ai kthehet më vonë. Dhe për shkak të prapambetjes në marrjen e mostrave, mund të duhen shtatë ditë që të vijnë rezultatet, kur neve na duhen brenda 24 orëve.
Kjo është arsyeja pse vendi ka nevojë për përparësi të qarta për kush është testuar. Së pari në listë duhet të jenë njerëzit në role thelbësore si punëtorët e kujdesit shëndetësor dhe të parët që përgjigjen, pasuar nga njerëz simpatikë që kanë më shumë rrezik për t’u sëmurur seriozisht dhe ata që ka të ngjarë të jenë të ekspozuar.
E njëjta gjë vlen edhe për maskat dhe respiratorët. Të detyrosh 50 guvernatorë të konkurrojnë për pajisje shpëtimi – dhe spitalet të paguajnë çmime të kripura për to – kjo vetëm i vështirëson gjërat.
E në fund, ne na duhet një qasje e bazuar në të dhëna për zhvillimin e trajtimeve mjekësore dhe të një vaksine. Shkencëtarët po punojnë me shpejtësi për të dyja; ndërkohë, udhëheqësit mund të ndihmojnë duke mos nxitur thashethemet ose blerjen prej panikut. Shumë kohë para se ilaçi hidroksi-chloroquine të aprovohej si trajtim emergjent për covid-19, njerëzit filluan ta mbajnë në shtëpi atë, duke ua bërë më të vështirë pacientëve me lupus që ta gjejnë të. Dhe ata e kanë domosdoshmëri për të mbijetuar.
Ne duhet t’i përmbahemi procesit që funksionon: Të kryejmë testime të shpejta të trajtimeve e vaksinave që përfshijnë kandidatë të ndryshëm dhe informojnë publikun kur të vijnë rezultatet. Pasi të kemi një trajtim të sigurt dhe efektiv, do të duhet të sigurohemi që dozat e para të shkojnë te njerëzit të cilëve u nevojiten më shumë.
Për t’i dhënë fund sëmundjes, do të na duhet një vaksinë e sigurt dhe efektive. Nëse bëjmë gjithçka siç duhet, ne mund të kemi një të tillë, në më pak se 18 muaj – koha më e shpejtë kur një vaksinë është zhvilluar ndonjëherë. Por krijimi i një vaksine është vetëm gjysma e betejës. Për të mbrojtur amerikanët dhe njerëzit në mbarë botën, do të duhet të prodhojmë miliarda doza. (Pa vaksinë, vendet në zhvillim janë në rrezik edhe më të madh se ato të pasura, sepse është edhe më e vështirë për ta të zbatojnë distancime fizike dhe izolime.)
Ne mund të fillojmë tani duke ndërtuar impiantet ku do të prodhohen këto vaksina. Për shkak se shumë nga kandidatët kryesorë janë bërë duke përdorur pajisje unike, ne do të duhet të ndërtojmë lehtësira për secilin prej tyre, duke e ditur që disa nuk do të përdoren. Kompanitë private nuk mund ta marrin këtë lloj rreziku, por qeveria federale mundet. Eshtë një shenjë e shkëlqyer që administrata bëri marrëveshje këtë javë me të paktën dy kompani për t’u përgatitur për prodhimin e vaksinave. Shpresoj se do të vijojnë më shumë marrëveshje.
Në vitin 2015, unë u bëra thirrje liderëve botërorë në një bisedë të TED, që të përgatiteshin për një pandemi, në të njëjtën mënyrë si përgatiteshin për luftë – duke realizuar simulime për të gjetur plasaritjet në sistem. Siç kemi parë këtë vit, kemi ende rrugë të gjatë për të bërë. Por unë ende besoj se nëse marrim vendimet e duhura tani, të informuar nga shkenca, të dhënat dhe përvoja e profesionistëve të mjekësisë, ne mund të shpëtojmë jetë dhe ta rikthejmë vendin në punë. / The Washington Post – Bota.al