Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit ka reaguar pas thirrjes në SPAK të dy drejtuesve të Lapsi.al, Armand Shkullakut dhe Andi Bushatit, për të deklaruar rreth skandalit të përdorjes së të dhënave të qytetarëve për qëllime elektorale nga qeveria.
“Më 14 Prill 2021, Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar urdhëroi gazetarët Andi Bushati dhe Armand Shkullaku të dorëzonin një bazë të dhënash që përmbante informacione personale të më shumë se 910,000 votuesve në Shqipëri. Bushati dhe Shkullaku drejtojnë Lapsi.al, një media online në Shqipëri. Ata refuzuan të respektojnë urdhrin për shkak të shqetësimeve të tyre në lidhje me burimin e informacionit. Si rezultat i refuzimit të tyre, prokuroria mori në pyetje gazetarët”, shkruan ECPMF.
Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit shton se presionin e ushtruar nga prokuroria ndaj gazetarëve të Lapsi.al për të dorëzuar databazën e të dhënave pa urdhër gjyqësor, duke rrezikuar burimin e informacionit, e ka regjistruar në platformën Mapping Media Freedom.