Përdoruesit e “Instagram” tani mund të shfaqin përemrin me të cilin duan të referohen, pavarësisht nga gjinia e tyre e lindjes, një trend që po fiton terren në SHBA midis qarqeve progresive.
“Shtoni përemra në profilin tuaj”, shkroi në Twitter aplikacioni i ndarjes së fotografive dhe videove, i përdorur nga më shumë se një miliard persona në të gjithë botën.
Fusha e re që duhet të plotësohet (pas emrit dhe para pseudonimit dhe biografisë) është fakultative dhe përdoruesi mund të vendosë nëse përemrat personalë të shfaqen në profilin e tij publik ose vetëm për pajtimtarët e tij.
Gjithnjë e më shumë aplikacione po e ofrojnë këtë mundësi, për hir të gjithëpërfshirjes.
“Ndarja e përemrit tuaj është miratuar gjerësisht nga përdoruesit tanë dhe me këtë mjet ne shpresojmë që ta standardizojmë më tej këtë praktikë”, tha një zëdhënës i Facebook, që zotëron platformën popullore.
“Ne kemi një numër përemrash në dispozicion dhe jemi të hapur për reagime nga komuniteti ynë nëse kemi harruar ndonjë që duhet të përfshihet”, shtoi ai. Rrjeti social tregoi, gjithashtu, se opsioni do të shtrihej edhe në vendet e tjera.