Fiskalizimi dominohet nga kompanitë e mëdha -17,470 subjekte kanë përmbushur kushtet, 11 milionë fatura të lëshuara

0

Procesi i fiskalizimit është dominuar tërësisht nga kompanitë e mëdha gjatë kësaj faze të vitit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve raportin se ndër 17,470 kompanitë që kanë përmbushur detyrimet ligjore për fiskalizimin, 9,844 janë biznese të mëdha, dhe 7,460 të vogla. Që të dy grupet kanë lëshuar një total prej 11 milionë faturash të fiskalizuara deri në këtë fazë të vitit. Mbi 8.6 milionë fatura janë lëshuar nga biznesi I madh, ndërsa mbi 2 milionë fatura nga biznesi I vogël.

Sa I përket biznesit të madh, 3930 raportohen në sektorin e tregtisë, 2801 në sektorin e shërbimeve, 1596 në sektorin e prodhimit, mbi 1,100 në sektorin e ndërtimit,  dhe 401 në sektorin e transportit. E ndryshme është struktura e implementimit të fiskalizimit te biznesi i vogël, ku 4,587 kompani operojnë në sektorin e shërbimeve, dhe 1,636 në sektorin e tregtisë

Drejtoria rajonale Tiranë shënon numrin më të madh të bizneseve të fiskalizuara, me 8,562, e ndjekur nga Durrësi me 2000, Fieri mbi 1 mijë, e Vlora e Elbasani me mbi 700. Tatimpagues VIP që e kanë implementuar fiskalizimin janë 704.

Ecuria e procesit vjen përmes një materiali filmic të prodhuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sipas së cilës, Reforma e Fiskalizimit ka një ecuri pozitive me shifrat që janë rritur ndjeshëm muaj pas muaji.

Në 1 Janar 2021 nisi faza e parë e zbatimit të kësaj reforme, që konsiston në transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike (B2G), në 1 Korrik 2021 nisi faza e dytë për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve (B2B), ndërsa më 1 Shtator do të nisë faza e tretë për transaksionet me para në dorë tatimpagues-konsumator (B2C).

Artikulli i mëparshëmGjermania parashikon masa të reja në vjeshtë
Artikulli i radhësZonat/ 10 vatra zjarri aktive në vend, situatë kritike në 2 prej tyre