Administrata e Joe Biden ka zhvilluar bisedime të fshehta me disa shtete, të cilat i shikon si opsion për të pranuar refugjatë nga Afganistani të larguar nga terrori i talebanëve.
Por agjencia mediatike Reuters, raporton se bisedime të fshehta janë zhvilluar edhe me Shqipërinë e Kosovën, të cilat shihen si dy mundësi nga amerikanët për të strehuar përkohësisht afganët që kanë lidhje me SHBA-të, deri sa këta të fundit të pajisen me viza amerikane.
Afganët që shërbyen si përkthyes për qeverinë amerikane kanë të drejtë të aplikojnë për programin SIV.
Deri më tani, rreth 1.200 afganë janë evakuuar në Shtetet e Bashkuara dhe ky numër do të rritet në 3.500 në javët e ardhshme nën “Operacionin e Aleatëve Refugjatë”. Shumë prej tyre janë strehuar në bazën ushtarake amerikane në Virxhinia, derisa të përfundojnë plotësimin e dokumenteve për qëndrim.
Administrata e Biden shpreson që Kazakistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani të marrin disa mijëra emigrantë afganë, por deri tani këto shtete kanë hezituar.
Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës favore ekonomike dhe politike për të pranuar disa mijëra afganë, por burimet për Reuters thanë se amerikanët janë të shqetësuar për kapacitetet që Kosova ka për strehimin e tyre.
Ministria e Jashtme në Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së Reuters për koment.
Ambasadat e Shqipërisë, Kazakistanit, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit gjithashtu nuk i janë përgjigjur kërkesës së agjencisë së lajmeve për koment.
Në programin SIV për t’u pajisur me vizë amerikane janë rreth 21,000 afganë, nga të cilët deri tani janë evakuuar vetëm 1.200. Megjithatë disa ekspertë thonë se ky numër mund të shkojë në 50,000 apo edhe 80,000, nëse përfshihen anëtarët e familjeve të tyre.