Dosja “Abule”, nga hajdut në Belgjikë, u kthye bos në Tiranë. Raporti: Elman Abule, sjell në Shqipëri skorje alumini me radioaktivitet. Lidhjet me Eldi Dizdarin

0

Një informacion konfidencial i mbëritur në Seksionin e Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar pranë Policisë së Shtetit, është bërë shkak për çeljen e një dosje penale mbi aktivitetin tregtar të dy personazheve të njohur, Elman Abule nga Tirana por me shtetësi Belge dhe Kristjan Boçi nga Shëngjini.

Burimi sekret, ka informuar se Elman Abule, biznesmeni kontravers me lidhje të ngushta në politikën shqiptare (Erjon Veliaj etj) dhe elementëve të njohur në trafikun ndërkombëtar të kokainës, ishte i përfshirë në veprimtarinë e kundraligjshme të importit të mallrave të rrezikshme, të llojit skorje alumini të ndaluara me ligj për hyrje dhe zhdoganim në Republikën e Shqipërisë.

Dokumenti tregon se Elman Abule, që sot në Tiranë konsiderohet biznesmen i sukseshëm, në vitin 2004-2005, ka qënë në Belgjikë një hajdut i dhunshëm, duke përdorur çelësa të kopjuar dhe metodën e thyerjes.
Dhe për këtë aktivitet kriminal në janar 2007 është dënuar në Antvvep, Belgjikë me dy vite burgim për “Vjedhje në rrethana rënduese” dhe Mbajtje dhe tregtimin e sendeve të vjedhura”.

Ndërsa me 1 vit burg është dënuar për akuzën e krijimit të bandës së hajutëve.

Letrat që ndodhen në dosje e prokurorisë janë siguruar nga gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ku tregohet një tablo e qartë mbi aktivitetin kriminal, dyshimet për futjen e mallrave të rrezikshëm në Shqipëri, dënimet penale në Blegjikë, e deri dek miqësia e ngushtë dhe biznesi, që Elman Abule dhe Kristjan Boçi, kanë me dy vëllezërit Saimir, Dizdari dhe Eldi Dizdarin, ky i fundit një bos ndërkombëtar i trafikut të kokainës që aktualisht qëndron në Dubai.

Por qëndrimi i Eldi Dizdarit në Dubai, pritet se nuk do zgjasë dhe shumë kohë. Dizdari, rezulton i dënuar në Itali si pjesë e grupit kriminal “Kompania Bello”, i hetuar disa vite më parë nga prokuroria e Firences.
Sipas informacionit, miku i Eldi Dizdarit, Elman Abule kontrollon me letra dy kompanitë e aluminit “Rametal” dhe “Fidalba” të hapura në vitin 2014 dhe 2010. Ndërsa ka dyshije të forta se pronari në hije, i këtij biznesi është pikërisht, Denis Matoshi alias Eldi Dizdari.

Kompania “Rametal”, fillimisht është hapur në 11 mars 2014 nga Kristjan Boçi dhe Marisa Nito, gruaja e Elman Abules, ku për herë të parë ky biznes është quajtur “Metalform”. Të dy ortakët zotëronin secili 50 për qind të aksioneve.

Por nuk ka kaluar 5 muaj nga themelimi i kësaj kompanie dhe tek ky biznes është shfaqur Eldi Dizdari alias Denis Matoshi. Në muajin korrik 2014, Dizdari blen përmes një kontrate noteriale, 50 për qind të aksioneve. Dokumentat tregojnë se shitësja në këtë rast ishte Marisa Nito, gruaja e Elman Abules, ndërsa blerësi ishte Dizdari, i cili pretendohet se ka paguar 10 mijë euro, jashtë zyrës së noterit.
Për dy vitet në vijim kompania e aluminit “Rametal” është drejtuar nga Kristjan Boçi dhe trafikanti i drogës, Eldi Dizdari. Por në gusht të vitit 2016, Eldi Dizdari, vendos të largohet nga aksionet e kësaj kompanie, ku përmes një deklarate private (jo noteriale) ai ja shet aksionet Elman Abules, kundrejt një shumë financiare prej 10 mijë euro.

Informacioni thotë se dy vite pasi nga kjo kompani u “largua” Eldi Dizdari, në 9 qershor 2018 ka vendosur të largohet dhe Kristjan Boçi, i cili i shet kundrejt 100 mijë lekë të vjetra 50 për qind të aksioneve Elman Abules, i cili tashmë bëhet pronar i plotë i “Ramental”, duke zotëruar aksionet e këtij biznesi përmes kompanisë tjetër të aluminit “Fidalba”.

Të dhënat konfidenciale të mbëritura në Policinë e Shtetit, flasin se “Rametal” dhe “Fidalba”, kryejnë importin e mallkrave të dyshimtë të llojit skorje alumini, të cilat janë ndaluara me ligj për hyrje dhe zhdoganim në Republikën e Shqipërisë, pasi këto lëndë janë të klasifikuara si të rrezikshme dhe me prani të radioaktivitetit.
“…konkretisht përmes dokumentave shoqëruese dhe procedurave doganore të manipuluara, Elman Abule, importon nëpërmjet portit të Durrësit material të llojit skorje alumini, duke i zhdoganuar si skrap alumini, material ky i cilësua si i lejuar për tu importuar…”-thuhet në dokumentin informativ.

Sipas dosjes Elman Abule ka qenë i punësuar pranë dy subjekteve të sipërcituar në periudhën Maj 2013 deri në Korrik 2022 dhe paga totale bruto që ai ka përfituar arrin deri në vlerën gati 200 milion lekë të vjetra.

“…ka rezultuar se Elman Abule në bizneset e tij ka lidhje me persona të përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe konkretisht me Kristian Boçi apo Denis Matoshin alias Eldi Dizdari…”-thuhet në dokument.

Gjithashtu sipas informacionit të Interpol Brukselit, rezulton se Elman Abule, është i njohur në Blegjikë për “Organizatë Kriminale”, “Vjedhje në rrethana rënduese” dhe “Mbajtje dhe shitje e sendeve të vjedhura”, fakte të ndodhura në vitet 2004-2005.
Konkretisht nga informacioni i përcjellë nga Drejtoria e Interpolit në 12 shtator 2023 është informuar se Elman Abule është dënuar më datë 17 janar 2007, nga Gjykata e Antvvep, me 30 muaj burg për veprën penale të “Vjedhje me thyerje ose duke përdorur çelësa të kopjuar dhe krijim bande”, duke u dënuar ky shtetas me 2 vjet burg me kusht dhe 1 vit vit në burg për “krijim bande”.

Gjithashtu, rezulton se miku i Abules dhe ish-ortak me subjektin “Rametal” dhe shoqërinë tjetër “Ferro Chrome Holding”, ka qënë Kristian Boçi, i përfshirë në veprimtari të paligjshme dhe i arrestuar në vitin 2011 në Itali, i cili njihet për lidhjet e tij dhe me persona të tjerë të përfshirë në trafikun e narkotikëve si Eldi Dizdari.

Në muajin Prill 2015, tre miqtë Kristjan Boçi, Elman Abule dhe vëllai i Dizdarit, Saimir Dizdari, vendosin të hapin kompaninë “Ferro Chrome Holding”, ku 40 për qind të kapitalit e zotëronte Boçi dhe nga 30 për qind të aksioneve Dizdari së bashku me Abulen. Por në 22 qershor 2015 në një bankë të nivelit të Dytë në Tiranë ku ndodhej llogaria e “Ferro Chrome Holding”, janë derdhur 300 mijë euro nga vëllai i Eldi Dizdarit, Saimir Dizdari me përshkrimin “…Kalim për investim nga aksiokneri…”.
Ndërsa po nga e njëjta llogari ku Dizdari zbari 300 mijë euro, katër ditë më pas, në 26 qershor 2015 janë tërhequr 25 mijë euro dhe në datë 29 qershor 2015 janë tërhequr sërisht 50 mijë Euro nga ortaku tjetër i kësaj kompanie, Elman Abule.

Ndërkohë në 29 qershor 2015 janë transferuar 100 mijë euro në llogarinë e shoqërisë “Rametal”.

Kurse në 7 korrik 2015 është transferuar shuma prej 124,800 euro në llogarinë në lek të shoqërisë “Alfamet”, ekuivalentuar në shumën 17,359,874.20 lekë.

Si përfundim, lidhur me krijimin e shumës së huasë prej 150,000 euro dhe 1,000,000 lekë, rezulton se 100 mijë euro dhe 1,000,000 lekë kanë si burim të ardhurat e Saimir Dizdari dhe 50 mijë euro, kanë si burim derdhjen nga ortaku, por pa specifikuar kontributin e tre ortakëve që zotëronin në atë moment kuotat e shoqërisë “Ferro Chrome Holding”.
Sipas dokumentit, thuhet se Saimir Dizdari, nuk ka patur të ardhura të ligjshme për të investuar në shoqëri shumën prej 300 mijë euro.

Pas këtyre lëvizjeve Saimir Dizdari në muajin Shtator 2017 vendos të largohet nga kompania, duke ja shitur për 90 mijë lekë të vjetra, 30 për qind të aksioneve mikut të tij, Kristjan Boçit.

Por në 5 dhjetor 2017 është depozituar Vendimi i Asamblesë datë 30 Tetor 2017, ku është vendosur zvogëlimi i kapitalit të kompanisë nga 400 mijë euro në 40 mijë euro.

Në muajin qershor 2024, prokuroria e Tiranës sekuestroi gati 50 milionë euro pasuri, të cilat zotëroheshin nga Kristian Boçi dhe Elman Abule, si dhe 5 njerëzve të lidhur me ta, Marisa Nito, Drilona Boçi, Ender Boçi, Eliverta Boçi dhe Vladimir Avrami.

Tashmë të gjitha pronat administrohen nga Gjergj Xhaferi, inspektori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Por me një lëvizje të çuditshme të prokurores së Apelit në Tiranë, Arta Marku, çështja e sekuestrimit të pasurisë u rikthye sërisht për rigjykim në shkallën e parë, ku pritet që në ditët në vijim të caktohet një datë gjykimi.

Kristian Boçi, nuk është një personazh jo i njohur në mediat sociale.

I përfolur si biznesmen (por i hetuar për drogë në Itali), Kristian Boçi së bashku me bashkëshorten e tij Drilona Boçi, reklamojnë në rrjetet sociale, jetë shumë luksoze, duke tërhequr pas vetes mijëra ndjekësa në mediat sociale.

Në Instagram Kristian Boçi ka 95 mijë ndjekës dhe bashkëshortja e tij 85 mijë ndjekës, nga ku tregojnë për udhëtimet, frekuentimin e zonave luksoze e veshjeve të shtrenjta.

Kristian Boçi shpesh herë ka reklamuar edhe bamirësi të ndryshme për njerëzit në nevojë. /Ora News

Artikulli i mëparshëmSilvinjo deliron: Çekët luajtën sikur ishin Brazili – dy vite më parë s’dinin as kush ishte Shqipëria, tani na studiojnë me përkushtim!
Artikulli i radhësPartia Socialiste nën kritika për mbledhjen e listave të emigrantëve: presion ndaj administratës për zgjedhjet e 2025