Tërmeti trondit ishullin Amorgos në Greqi/ Më shumë se 500 lëkundje sizmike në një javë

0

Një tjetër tërmet i fuqishëm ka goditur sot ishullin Amorgos, në afërsi të Santorinit, duke shkaktuar shqetësim mes banorëve. Sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës, lëkundja e fundit ka qenë me magnitudë 4.9 të shkallës Rihter, duke e bërë atë më të fuqishmen ndër mbi 500 lëkundjet e regjistruara në ditët e fundit.

Në orët e para të mëngjesit të së hënës, zona detare mes Amorgos dhe Santorinit u godit nga disa lëkundje të tjera, me magnitudë që varionte nga 2.1 deri në 3.8 të shkallës Rihter, ndërsa dy tërmete më të forta me magnitudë 4.2 u regjistruan në të njëjtën zonë.

Megjithëse jeta në Santorini vazhdon normalisht, një pjesë e madhe e banorëve janë të shqetësuar dhe kërkojnë të largohen nga ishulli. Për këtë arsye, kompania ajrore Aegean ka shtuar dy fluturime shtesë për të lehtësuar evakuimin.

Komuniteti shqiptar në Santorini, që përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë me rreth 7,000 banorë nga një total prej 24,000, është gjithashtu i prekur nga situata. Shumë prej tyre po dërgojnë familjarët drejt Athinës ose qyteteve të tjera të Greqisë përkohësisht, në pritje të stabilizimit të situatës sizmike.

Autoritetet dhe shkencëtarët po monitorojnë nga afër zhvillimet, ndërsa ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë e një aktiviteti sizmik të vazhdueshëm në rajon.

Artikulli i mëparshëmAksident i rëndë në aksin Cërrik-Gramsh, humb jetën një person
Artikulli i radhësApartament në Durrës shndërrohet në qendër prostitucioni, në kërkim dy tutore