Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qendër të Korçës, ku një 40-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë. Viktima, i identifikuar si Ergyst Shtylla, është dërguar me urgjencë në spital, ku ndodhet në reanimacion.
Sipas burimeve, i plagosuri është transportuar drejt spitalit me një automjet privat, ndërsa nuk ka gjurmë të dukshme në vendin ku ka ndodhur ngjarja. Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë të lokaleve përreth për të hedhur dritë mbi rrethanat e plagosjes.
Policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar, i cili ende nuk është identifikuar. Ndërkohë, pritet që viktima të merret në pyetje sapo gjendja e tij shëndetësore të stabilizohet.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë:
“Rreth orës 20:15, shtetasi E. Sh., 40 vjeç, ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore, dyshohet i dëmtuar me mjet prerës, thikë nga një shtetas ende i paidentifikuar. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.”
Ngjarja ka krijuar shqetësim në qytet, ndërsa forcat e rendit vijojnë hetimet për zbardhjen e motiveve të këtij sulmi.