
Një përleshje e dhunshme mes shqiptarësh në Itali ka përfunduar me një vrasje makabre në qytetin Fontanafredda, provincë e Pordenones, ku viktimë mbeti Vladimir Topjana, 43 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 prill 2025, rreth orës 21:00, pranë një lokali në Via Buonarroti.
Sipas hetimeve paraprake të autoriteteve italiane, gjithçka nisi si një konflikt për tokë në Shqipëri. Fillimisht debati mes Vladimir Topjanës dhe Roger Shotës, agresorit, nisi në një lokal në Sacile, por më pas u zhvendos në vendin ku ndodhi tragjedia.
Në përleshje e sipër, Topjana i ka kafshuar veshin kundërshtarit, gjë që ka çuar në një reagim ekstrem: Roger Shota ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.
Në vendngjarje ndodhej edhe babai i autorit, i cili dyshohet për bashkëpunim në vrasje me paramendim. Të dy janë arrestuar: Roger ndodhet në burgun e Pordenones, ndërsa babai i tij në burgun e Trevisos. Arma e përdorur në krim është sekuestruar nga policia italiane, e cila ka nisur hetime të zgjeruara.
Sipas burimeve hetimore, pozicioni ligjor i babait të autorit mund të ndryshojë, në varësi të autopsisë së viktimës dhe elementëve të tjerë që dalin nga hetimi. Ndërkohë, policia italiane ka mbledhur dëshmi dhe po analizohen kamerat e sigurisë për të rindërtuar plotësisht dinamikën e vrasjes.
Kjo ngjarje hedh dritë mbi një fenomen të rrezikshëm që po ndodh gjithnjë e më shpesh në komunitetet shqiptare jashtë vendit: konfliktet për pronat në Shqipëri që shpërthejnë në dhunë edhe në emigracion.