
TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka përshkruar si “dy ditë e netë ekstremisht të vështira” për forcat e zjarrfikësve, Emergjencat Civile dhe Forcat e Armatosura, të cilat po përballen me disa vatra të mëdha zjarri në të gjithë vendin.
Sipas tij, flakët kanë prekur zona të gjera në Skënderbegas dhe Sojnik të Gramshit, Koshtan të Memaliajt, Hormovë, Kodër e Lekël në Tepelenë, territore pranë kufirit me Gjirokastrën, si dhe Dhivër e Kakodhiq në Finiq e Dropull pranë Delvinës.
Rama theksoi se falë angazhimit dhe guximit të forcave në terren është arritur të vihen nën kontroll vatrat kryesore, por puna vazhdon intensivisht për shuarjen e plotë dhe për të shmangur çdo riaktivizim.
Apeli për qytetarët dhe paralajmërimi për zjarrvënësit
Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo vatër zjarri “para se të jetë vonë”. Ai paralajmëroi se për personat që shkaktojnë zjarrvënie të qëllimshme, ndëshkimi do të jetë maksimal.
“Falë guximit vetëmohues dhe angazhimit total të të gjitha forcave në terren, është arritur të kontrollohen flakët. Por duhet vigjilencë nga të gjithë – banorët duhet të njoftojnë menjëherë dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve”, tha Rama.
Ky reagim vjen ndërsa zjarret vijojnë të përhapen në disa rajone dhe moti i nxehtë po vështirëson operacionet e shuarjes.