
Një skandal i rëndë, që tregon fytyrën e vërtetë të “Reformës në Drejtësi”, është konsumuar në fund të korrikut të vitit 2025.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), një strukturë nën drejtimin dhe kontrollin e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka lejuar kandidimin e Genta Bungo (Tafa) për në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse ajo rezultoi me probleme të theksuara në kriterin e pasurisë.
Sipas Boldnews.al, relatorja e çështjes, gjyqtarja e Apelit Enkela Vlora (Bajo), ka paraqitur relacionin me përfundim negativ, duke kërkuar përjashtimin e kandidates pasi nuk justifikonte pasurinë me burime të ligjshme. Por një “manovër” e brendshme, më shumë politike se ligjore, ndryshoi balancat brenda KED-it, duke favorizuar Bungon.
Më 28 korrik 2025, Këshilli njoftoi publikisht se lejonte kandidimin e saj për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Gjykata e Lartë në dhjetor 2024, duke zëvendësuar mandatin e përfunduar të gjyqtares Holta Zaçaj. Vendimi erdhi pasi mbledhjet e datave 15 dhe 21 korrik u shtynë dy herë, duke ngritur dyshime mbi procesin. Vetëm në mbledhjen e tretë, anëtarët e KED-it arritën të kualifikonin kandidaturën.
Vendimi i plotë dhe i argumentuar nuk është zbardhur ende, pasi anëtarët e Këshillit janë larguar për pushimet e gushtit. Megjithatë, të dhënat tregojnë se relatorja e rastit, e cila kishte aksesin më të gjerë mbi kriteret e kandidates, ka qenë kundër kualifikimit.
Nëse Bungo do të përjashtohej për shkak të pasurisë, kjo do të përbënte një goditje të rëndë për integritetin e institucioneve të reja të drejtësisë. Ironikisht, ajo ka qenë për 7 vjet anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe 3 vitet e para edhe kryetare e tij. Nën drejtimin e saj, KPK kreu Vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku mbi gjysmën e tyre u shkarkuan për pamundësi justifikimi të pasurisë.
Megjithëse KPK u vlerësua nga partnerët ndërkombëtarë për “pastrimin e drejtësisë nga gjyqtarët e korruptuar”, në fakt nuk u provua asnjë rast korrupsioni i drejtpërdrejtë. Shumë vendime u morën mbi analiza financiare të debatueshme, që përfunduan me shkarkime masive.
Tani, një procedurë verifikuese ka zbuluar se edhe vetë Genta Bungo Tafa, kryetarja e dikurshme e KPK-së, nuk ka qenë në rregull me kriterin e pasurisë. Pra, personi që shkarkonte të tjerët për këtë arsye, rezulton se është në të njëjtat kushte me ata që largoi nga sistemi.
Poeti romak Juvenal shkruante dy mijë vjet më parë: “Po rojet, kush i ruan?” (Quis custodiet ipsos custodes?). Rasti i fundit në Shqipëri duket se e konfirmon këtë pyetje: “Rojet, jo vetëm që nuk i ruan askush, por me dorën e fortë të Sadushit, arrijnë të kalojnë të paprekur edhe drejt Kushtetueses.”
/Boldnews