Për Peleshin Dhe “Peleshët” Parlamenti Nuk Është Pronë E Partisë — Është Zëri I Popullit

0

*Marrë nga Facebook i Autorit

Zoti Peleshi, Parlamenti nuk është salla juaj personale, as zyra e një partie që mbron të pandehurit e pushtetit. Parlamenti është zëri i popullit, dhe ju — pavarësisht se ndoshta ju dhe shumë syresh aty jeni të padenjë ta përfaqësoni — nuk keni të drejtë t’i mbyllni gojën atij.

Kur refuzoni një interpelancë me një ministre të pandehur nga SPAK, nuk po mbroni pavarësinë e drejtësisë, por po fshini kufirin që ndan pushtetin politik nga përgjegjësia morale. Nuk ka asnjë ligj, asnjë parim, asnjë nen të Kushtetutës që ndalon popullin, përmes Kuvendit të tij, të kërkojë llogari nga një zyrtare që akuzohet për abuzim me qindra milionë euro.

Ju thoni se interpelanca “do të ishte ndërhyrje në hetim”. Por hetimi i SPAK nuk pengon pyetjet e opozitës, as kërkesën për transparencë publike. Përkundrazi — parlamentarizmi ekziston pikërisht që të mos ketë heshtje kur drejtësia troket. Kur një zv.kryeministre është nën akuzë, heshtja e Kuvendit është bashkëfajësi.

Zoti Peleshi, jeni kthyer në kryetarin më të dobët të Kuvendit shqiptar në 35 vitet e fundit. Një figurë pa peshë, pa dinjitet parlamentar, që fshehet pas justifikimeve teknike për të shmangur çdo debat që prek interesat e qeverisë. Ndërsa paraardhësit tuaj, të paktën ruanin dinjitetin institucional — ju sot e keni zhbërë atë, duke e kthyer foltoren në zgjatim të zyrës së Kryeministrit.

Parlamenti nuk është instrument për të mbuluar skandalet e pushtetit, por arena e llogaridhënies publike. Çdo herë që refuzoni një interpelancë, refuzoni vetë frymën e demokracisë që thoni se përfaqësoni.

Dhe mos harroni, zoti Peleshi — populli nuk merr leje për të ndërhyrë. Ai është pronari i këtij shteti, dhe një ditë do t’ju kërkojë juve dhe çdokujt që sot fshihet pas procedurave, të njëjtën llogari që sot ia mohoni.


Artikulli i mëparshëmPeleshi Shmang Llogaridhënien E Ballukut Me Një Justifikim Qesharak
Artikulli i radhësKuvendi Miraton Ligjin E Ri Për Barazinë Gjinore: Midis Reformës Dhe Vlerave Tradicionale