Taulant Balla Thyen Heshtjen Zgjedhore/ Celibashi Reagon: “E Ndaluar”

0

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, ka reaguar pas thirrjes publike të bërë nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për të votuar kandidatët socialistë në zgjedhjet e sotme në pesë bashki të vendit.

Celibashi u shpreh se thirrje të tilla për votim gjatë ditës së zgjedhjeve përbëjnë shkelje të qartë të rregullave të heshtjes zgjedhore, e cila ka hyrë në fuqi që prej mesnatës së së premtes.

“Është e ndaluar të bëhen thirrje elektorale. Mund të bëhen vetëm thirrje për pjesëmarrje masive. Shpresoj që rikujtimi i kësaj problematike të dëgjohet,” deklaroi ai para mediave.

Deklarata e Celibashit erdhi pas postimit të Ballës në rrjetet sociale, ku ai u kërkoi qytetarëve të Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës të votojnë kandidatët e Partisë Socialiste, duke e lidhur procesin me projektin politik “Shqipëria 2030”.

Në mesazhin e tij, Balla theksoi nismat qeveritare për rritjen e pensioneve dhe pagave, si dhe objektivin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke i ftuar votuesit të dalin masivisht në mbështetje të PS.

Sipas Kodit Zgjedhor, çdo thirrje për votim në favor të një force politike gjatë heshtjes zgjedhore është e ndaluar deri në mbylljen e procesit të votimit.


Artikulli i mëparshëm“Paqja Fiskale” Nis Nga 1 Janari 2026 Dhe Zgjat Tre Vite: Ja Kush Përfiton Dhe Si
Artikulli i radhësAksidentohet Makina E Policisë Në Fier, Plagosen 2 Efektivë