SHBA Godet “Hysa Organized Crime Group”: Luftar Hysa Sanksionohet Për Pastrim Parash Me Kartelin Sinaloa

0

Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë shpallur sot sanksionet më të mëdha ndaj një rrjeti kriminal me lidhje shqiptare, duke vendosur në shënjestër Luftar Hysën – të njëjtin person që dy vite më parë është pritur në zyrën e Edi Ramës në Kryeministri.

Departamenti Amerikan i Thesarit: Hysa, pastrues parash i kartelit Sinaloa

Sipas njoftimit zyrtar, “Hysa Organized Crime Group”, i drejtuar nga Luftar Hysa dhe anëtarët e tij familjarë Arben, Ramiz, Fatos dhe Fabjon Hysa, ka operuar për vite me radhë në Meksikë, Kanada dhe Europë, duke pastruar para për kartelin famëkeq Sinaloa dhe trafikantë ndërkombëtarë.

Hetimet amerikane dhe meksikane identifikuan përdorimin e kazino-ve, restoranteve, bizneseve fasadë dhe kompanive të krijuara në Europë për të lëvizur miliona dollarë drejt sistemit financiar amerikan dhe për të fshehur fitimet nga trafiku i drogës.

27 persona dhe kompani nën sanksione

Departamenti i Thesarit njoftoi se ka sanksionuar 27 individë dhe kompani, ndërsa ka propozuar që 10 kazino në Meksikë të largohen nga sistemi financiar i SHBA-së për shkak të dyshimeve të forta se janë përdorur për pastrim parash.

Këto masa bllokojnë çdo pasuri të tyre në territorin amerikan dhe ndalojnë institucionet financiare të SHBA-së të kryejnë transaksione me to.

Njolla politike në Tiranë

Rasti ka krijuar tronditje të forta edhe në Shqipëri, pasi Hysa është fotografuar në një takim zyrtar me kryeministrin Edi Rama, takim për të cilin ekzistojnë ende dy versione kontradiktore mes dy palëve.

Departamenti Amerikan i Thesarit, në një reagim paralel, e cilësoi këtë operacion si “mesazh të qartë për çdo individ apo qeveri që mbështet ose toleron kartelët e narkotrafikut”.

Ky është një nga rastet më të rënda ku një rrjet i udhëhequr nga shtetas me origjinë shqiptare shpallet pjesë e një mekanizmi financiar të kartelit Sinaloa — një grupi që konsiderohet organizata më e fuqishme narkotrafikante në botë.


Artikulli i mëparshëm2300 Vite Burg Për Rivalin E Erdoganit: Stambolli Në Shok Politik
Artikulli i radhësRama Para Melonit: “Nuk Duam As Votë, As Veto — Vetëm Na Fusni Në BE”