
Tirana është sot skena e një prej takimeve më të rëndësishme politike për Ballkanin Perëndimor – samitit “Plani i Rritjes, rruga jonë në BE”. Nuk është një aktivitet i organizuar nga qeveria shqiptare, por një forum zyrtar i Bashkimit Europian, i cili këtë herë mbahet në kryeqytetin shqiptar dhe mbledh në një tryezë liderët e rajonit dhe Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos.
BE-ja vjen në Tiranë me “planin e rritjes”
Që në orët e para të mëngjesit, në Pallatin e Brigadave kanë mbërritur njëri pas tjetrit krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Edi Rama, në rolin e pritësit të samitit, shoqëroi komisioneren Kos, kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe homologët e tjerë të rajonit drejt sallës ku po diskutohet paketa e re e BE-së për integrimin ekonomik të vendeve aspirante.
Në fjalën e saj, Marta Kos e përkufizoi qartë synimin e Brukselit: “Duam që BE të jetë që sot një realitet i prekshëm për qytetarët tuaj”, duke rikujtuar se qytetarët e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut tashmë përfitojnë nga pagesat më të lira përmes sistemit SEPA. Mesazhi i saj ishte i drejtpërdrejtë: dy vitet e ardhshme duhen shfrytëzuar për reforma konkrete, në mënyrë që plani i rritjes të mos mbetet vetëm dokument politik.
Rama: “Nuk kërkojmë lëmoshë, duam të jemi truproja e Europës”
Nga podiumi i samitit, Edi Rama tentoi t’i përgjigjej skepticizmit që vjen nga kryeqytetet europiane. Ai e cilësoi Ballkanin Perëndimor si “truprojë të Europës” dhe theksoi se vendet e rajonit “nuk po kërkojnë lëmoshë, por po tregojnë se janë gati” për anëtarësim. Sipas tij, reformat e kërkuara nga BE janë “të mërzitshme në letër e të lodhshme në realitet, por të domosdoshme” për të afruar standardet me tregun e përbashkët europian.
Rama foli edhe për projektet konkrete që lidhen me qytetarët: sipas tij, tarifat roaming mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor pritet të zhduken në vitin 2026, ndërsa puna për lehtësimin e kalimeve kufitare – përmes 16 pikave prioritare – synon ta kthejë infrastrukturën kufitare nga pengesë në motor zhvillimi.
Telenovela politike në sfond: Balluku dhe raportet me Kurtin
Samiti i Tiranës vjen një ditë pasi GJKKO pezulloi nga detyra zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe i ndaloi daljen jashtë vendit, në kuadër të hetimit të SPAK për tenderat e tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Jashtme të Tiranës. Prandaj pyetja për shkarkimin e saj ishte e pashmangshme.
I pyetur nga gazetarët para Pallatit të Brigadave nëse do ta largojë zyrtarisht nga qeveria, Rama zgjodhi t’i qortojë reporterët për “ulërima” dhe premtoi se “do ta jap fjalën nëse respektohen kriteret e etikës”, pa dhënë asnjë përgjigje të drejtpërdrejtë për fatin politik të Ballukut. Kjo heshtje e qëllimshme e vendos samitin në një sfond të fortë krizash të brendshme, pavarësisht tonit optimist të Tiranës zyrtare.
Ndërkohë, kamera fiksoi edhe shtrëngimin e duarve mes Ramës dhe Albin Kurtit, një moment që mediat e kanë kthyer në “telenovelë” të marrëdhënieve mes dy kryeministrave. “A e do a se do, a të do a s’të do, një mijë episode”, tha Rama me ironi, duke shmangur sërish çdo përgjigje substanciale për përplasjet e fundit mes Tiranës dhe Prishtinës.
Edhe pse Rama e përdori samitin për të artikuluar idenë se “në 2027 do të jemi në pritje për BE-në”, është e qartë se iniciativa nuk është një shpikje e qeverisë shqiptare, por pjesë e paketës zyrtare të Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor. Tirana këtë herë është vetëm stacioni ku diskutohet plani, jo pronarja e tij.
Kjo e bën takimin edhe më domethënës: nuk është një show i radhës i kryeministrit, por një test i vërtetë për rajonin – sa seriozisht po zbatohen reformat, sa gati janë ekonomitë për t’u lidhur me tregun e BE-së dhe sa besueshme janë elitat politike të Ballkanit në sytë e Brukselit.
Për përgjigjet, do të duhet të flasin jo deklaratat e sotme në sallë, por vendimet konkrete që do të merren në muajt e ardhshëm – në Tiranë, në kryeqytetet e rajonit dhe, sidomos, në korridoret e Bashkimit Europian.
