Shehaj Akuza të Forta: “Rama i Shpall Luftë SPAK-ut përmes Kushtetueses”

0

Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar me tone të ashpra ndaj vendimit të kryeministrit Edi Rama për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, pas urdhrit të GJKKO-së. Sipas Shehajt, ky veprim përbën “përplasjen finale” mes Ramës dhe SPAK-ut, në një moment kur organi i posaçëm i hetimit është duke iu afruar hetimeve edhe ndaj vetë kreut të qeverisë.

Në një video-mesazh publik, Shehaj deklaron se Edi Rama nuk po e shkarkon Ballukun, por po e mbron “me çdo mjet”, duke përdorur Gjykatën Kushtetuese si mburojë politike, ashtu siç—sipas tij—u veprua edhe në rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Edi Rama vendosi ta mbrojë Belinda Ballukun, jo ta shkarkojë. Do të përdorë Gjykatën Kushtetuese ashtu siç bëri me Erion Veliajn. Kjo është përplasja përfundimtare me SPAK-un,” theksoi Shehaj.

Ai shtoi se ky konflikt tregon qartë pavarësinë e SPAK-ut dhe se hetimet tashmë kanë prekur çdo linjë politike, pak rëndësi ka nëse të përfshirët janë të majtë apo të djathtë, të rinj apo të vjetër.

“Spak po i çon para drejtësisë të gjithë. Tani askush s’mund të thotë se po përdoret kundër opozitës. Edi Rama tashmë është kundër SPAK-ut dhe po përpiqet të shpëtojë veten, jo vetëm Ballukun,” vijoi ai.

Në deklaratën e tij, Shehaj parashikon se kryeministri nuk ka më asnjë shans t’i shpëtojë drejtësisë, duke i krahasuar zhvillimet në Shqipëri me ato të shumë vendeve të Europës Lindore, ku disa kryeministra të fuqishëm kanë përfunduar të dënuar pavarësisht pushtetit që mbanin.

“Janë me dhjetëra kryeministrat që kanë bërë burg. Dita kur do të dalë edhe Rama para drejtësisë nuk është e largët. Ditë më të mira po vijnë për Shqipërinë,” përfundoi Shehaj.

Artikulli i mëparshëmBerisha: “Balluku Kërkoi Shtyrjen e Vendimit me 72 Orë, Rama Nuk Pranoi”
Artikulli i radhësMarta Kos Deklaratë E Fortë: “Zgjedhjet e 11 Majit Ishin të Lira dhe të Ndershme”