
Franco Baresi është kthyer aty ku zemra e tij ka rrahur gjithmonë më fort – në Casa Milan. Kapiteni legjendar i kuqezinjve, sot zv/president nderi i klubit, është rishfaqur në selinë e Milanit rreth tre muaj e gjysmë pas njoftimit se po përballej me një sëmundje serioze.
Edhe pse rrugëtimi i tij i kurimit nuk ka përfunduar ende, prania e tij në ambientet e klubit ka sjellë entuziazëm dhe lehtësim, si për drejtuesit, ashtu edhe për tifozët kuqezinj, që prej muajsh kanë ndjekur me shqetësim lajmet për gjendjen e tij shëndetësore.
Më 3 gusht, Milani njoftoi zyrtarisht se tek Baresi ishte zbuluar një nodul në mushkëri gjatë një kontrolli rutinë, çka kërkoi një ndërhyrje kirurgjikale me teknikë mini-invazive. Operacioni rezultoi i suksesshëm dhe pa komplikacione pas ndërhyrjes, duke hapur rrugën për procesin e rikuperimit.
Shenja e parë publike e rikthimit të tij erdhi në fillim të nëntorit, kur Baresi publikoi një foto me flamurin e Milanit, të shoqëruar me mesazhin domethënës: “Rroftë jeta”. Postimi u përmbyt nga mesazhe mbështetjeje dhe dashurie nga tifozët, njerëz të futbollit italian dhe ish-shokë skuadre, që e konsiderojnë “Kapitenin” një simbol të përjetshëm të Milanit.
Tani, rikthimi i tij fizik në Casa Milan shihet jo vetëm si një lajm i mirë për klubin dhe tifozët, por edhe si një mesazh shprese dhe force: një tjetër ndeshje e vështirë për Baresin, në të cilën ai, ashtu si në fushë, po tregon se di të mbrojë veten dhe të tjerët me të njëjtën vendosmëri.
