
Qeveria shqiptare ka rikthyer amnistinë penale në fundvit, një nismë që parashikon lirimin e menjëhershëm të rreth 380 personave dhe ulje dënimi për rreth 900 të tjerë, duke përfshirë kategori të caktuara të dënuarish me rrezikshmëri të ulët shoqërore.
Nismën e ka bërë publike ministri i Drejtësisë, , përmes një video-mesazhi, ku sqaroi se amnistia bazohet në parime humanizmi, drejtësie sociale dhe standardesh evropiane të drejtësisë penale.
Sipas ministrit, në kategoritë përfituese përfshihen të miturit, gratë dhe personat e dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore. Ai theksoi se ky akt nuk përbën falje të shkeljes së ligjit, por një shans i dytë i dhënë me përgjegjësi për ata që mund të rikthehen në shoqëri dhe pranë familjeve të tyre.
“Nga zbatimi i kësaj amnistie, sipas vlerësimeve paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm, ndërsa rreth 900 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale apo masat alternative”, deklaroi Lamallari.
Ministri ishte i prerë në sqarimin se nga kjo amnisti nuk përfitojnë personat e dënuar për krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Po ashtu, ai theksoi se subjektet e hetuara nga dhe të gjykuara nga përjashtohen kategorikisht nga përfitimi i amnistisë.
“Nuk ka amnisti selektive dhe as favorizime. Ka kritere ligjore të qarta dhe transparente. Kush e sheh amnistinë si dobësi, ngatërron ndëshkimin me drejtësinë”, u shpreh ministri i Drejtësisë.
Në mesazhin e tij të plotë, Lamallari theksoi se sistemi penitenciar shqiptar vuan nga përdorimi i tepruar i masës së paraburgimit dhe mbipopullimi i burgjeve, një problem i ngritur vazhdimisht edhe nga institucionet evropiane. Aktualisht, në burgjet e vendit ndodhen rreth 5 mijë persona, ku më shumë se gjysma janë të paraburgosur.
Sipas ministrit, efektet e kësaj amnistie janë të menjëhershme dhe konkrete:
- Ulja e popullimit në burgje me rreth 7%
- Përmirësimi i kushteve të trajtimit, sigurisë dhe rehabilitimit
- Më shumë respekt për dinjitetin njerëzor
“Një shtet i fortë nuk matet me numrin e të burgosurve, por me aftësinë për parandalim, rehabilitim dhe uljen e përsëritjes së veprave penale”, theksoi Lamallari, duke shtuar se kjo amnisti është pjesë e një politike penale moderne, në përputhje me standardet demokratike evropiane.
Në përfundim, ministri i Drejtësisë e cilësoi amnistinë si një akt human dhe parandalues, që synon të shmangë një krizë sistemike në burgje dhe të ndërtojë një qasje më të drejtë dhe më proporcionale të drejtësisë penale në Shqipëri, duke e mbyllur mesazhin e tij me urimin për festat e fundvitit.
