
Ahmad Vahidi është emëruar komandant i ri i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, pas vrasjes së gjeneralit Mohammad Pakpour gjatë sulmeve të koordinuara amerikano-izraelite të së shtunës. Lajmi është raportuar nga agjenci ndërkombëtare, ndërsa konfirmimi zyrtar nga autoritetet iraniane pritet në orët në vijim.
Pakpour konsiderohej një nga figurat më të rëndësishme të strukturës ushtarake iraniane, me ndikim të drejtpërdrejtë në strategjitë rajonale dhe në operacionet e sigurisë. Eliminimi i tij përbën një goditje të fortë për hierarkinë ushtarake të vendit dhe pritet të ketë pasoja në balancat e brendshme të pushtetit.
Gardat Revolucionare janë një forcë kyçe në Iran, me rol të gjerë jo vetëm ushtarak, por edhe politik dhe ekonomik. Ato funksionojnë të ndara nga ushtria e rregullt dhe kanë ndikim të thellë në vendimmarrjen strategjike të shtetit, si brenda territorit ashtu edhe në politikën e jashtme.
Emërimi i Vahidit vjen në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, pas përshkallëzimit të konfliktit dhe raportimeve për viktima të shumta në disa vende të rajonit. Ndryshimi në krye të Gardës Revolucionare shihet si një lëvizje e shpejtë për të ruajtur stabilitetin e komandës dhe për të garantuar vazhdimësinë operacionale.
Ky zhvillim konsiderohet si një nga ndryshimet më të rëndësishme në strukturën ushtarake iraniane që prej viteve të para pas revolucionit islamik, duke sinjalizuar një fazë të re në menaxhimin e krizës aktuale.
