Nga dita në ditë po bëhet më e qartë se qeveria nuk po përballet më me protestën me argumente, por me dosje, etiketime dhe ekspozime publike.

Postimi i fundit i Edi Ramës kundër një protestueseje të përfshirë në lëvizjen qytetare është një sinjal shqetësues. Në vend që t’u përgjigjet pyetjeve të ngritura nga protestuesit, kryeministri zgjedh të merret me jetën, pronat dhe konfliktet individuale të tyre. Debati largohet nga kauza dhe zhvendoset tek personi.
Kjo nuk është mënyra se si vepron një qeveri e sigurt në argumentet e saj. Kjo është mënyra se si vepron një pushtet që kërkon t’u japë një mesazh të tjerëve: “Shikoni çfarë ndodh kur dilni kundër nesh”.
Në demokraci, qytetari nuk humbet të drejtën për të protestuar edhe nëse ka pasur një konflikt me shtetin. Një person mund të ketë gabuar, mund të ketë procese administrative, mund të ketë mosmarrëveshje ligjore. Këto i zgjidh ligji dhe gjykata. Protesta nuk është privilegj që jepet nga qeveria. Është e drejtë kushtetuese.
Ajo që e bën situatën edhe më problematike është se kjo gjuhë nuk po dëgjohet për herë të parë. Vetëm pak ditë më parë, nga foltorja e Kuvendit, ministri i Financave u përfshi në një përplasje politike me deputetin Agron Shehaj, ku debati kaloi nga argumentet politike tek referencat ndaj çështjeve personale dhe bizneseve private. Mesazhi që përcillet është i njëjtë: kush kritikon pushtetin duhet të jetë gati të ekspozohet publikisht.
Kur një qeveri fillon të përdorë informacionin, administratën dhe peshën e shtetit për të delegjitimuar individët në vend që të përballet me argumentet e tyre, demokracia hyn në një terren të rrëshqitshëm.
Problemi nuk është më nëse protestuesja ka apo nuk ka të drejtë. Problemi është pse kryeministri i vendit po shpenzon energji për të ndjekur dhe etiketuar qytetarë individualë, ndërsa mijëra njerëz po dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësinë e tyre.
Një pushtet i fortë nuk ka nevojë të trembë qytetarët. Një pushtet i fortë bind. Argumenton. Dëgjon.
Pushtetet që nisin të kërkojnë biografitë e kundërshtarëve zakonisht e bëjnë këtë kur nuk arrijnë më t’u përgjigjen argumenteve të tyre.
Dhe ky është momenti kur alarmi demokratik duhet të ndizet.
