Aksident në Majorkë, 27-vjeçari shqiptar në gjendje kritike; familja kërkon ndihmë për kurim në Britani

0

Një 27-vjeçar shqiptar ndodhet në gjendje kritike në Spanjë pas një aksidenti të rëndë në det gjatë pushimeve në Majorkë. Sipas familjarëve, Ardi Balliu ka pësuar dëmtime serioze në shtyllën kurrizore dhe aktualisht mbahet në terapi intensive, ndërsa të afërmit po përpiqen të sigurojnë fondet për transferimin e tij në Britani për trajtim të mëtejshëm.

Aksident në Majorkë, 27-vjeçari shqiptar në gjendje kritike; familja kërkon ndihmë për kurim në Britani

Aksidenti në plazhin e Majorkës

Sipas informacionit të publikuar nga mediat e huaja, Ardi Balliu u aksidentua në plazhin Caló des Moro, në ishullin e Majorkës, pasi u hodh me kokë në ujë dhe nuk doli më në sipërfaqe.

Miku që ishte me të kërkoi ndihmë menjëherë, ndërsa persona të tjerë në plazh arritën ta nxirrnin nga deti dhe ta transportonin në breg. Më pas, i riu u dërgua me helikopter mjekësor në spital.

Dëmtime të rënda dhe trajtim në terapi intensive

Sipas familjarëve, 27-vjeçari ka pësuar një thyerje të rëndë në vertebrën C1, si edhe dëmtime në pjesë të tjera të shtyllës kurrizore.

Po sipas tyre, ai ndodhet i lidhur me aparatura në terapi intensive, pasi nuk është në gjendje të marrë frymë vetë. Mjekët, sipas versionit të familjes, kanë paralajmëruar se ekziston rreziku që ai të mbetet i paralizuar përgjithmonë.

Ndërhyrja kirurgjikale ende nuk është kryer

Kushërira e tij, Ingrid Kaca, ka bërë me dije se gjendja e Ardit mbetet kritike dhe se ndërhyrja kirurgjikale ende nuk mund të kryhet.

Sipas saj, mjekët po presin të vlerësojnë nëse 27-vjeçari do të jetë në gjendje të marrë frymë pa mbështetjen e aparaturave, përpara se të vendosin për hapat e mëtejshëm mjekësorë.

Familja hap fushatë për ta dërguar në Angli

Ardi Balliu jetonte dhe punonte në Northampton, në Mbretërinë e Bashkuar. Pas aksidentit, sipas raportimeve të Mirror, familjarë dhe miq kanë udhëtuar drejt Spanjës për të qenë pranë tij.

Ndërkohë është hapur edhe një fushatë në platformën GoFundMe, me synimin për të mbledhur fondet e nevojshme për transferimin e tij në Angli, ku familja shpreson të vijojë kurimin.

Deri tani nuk ka informacion për një përmirësim të gjendjes së tij shëndetësore, ndërsa familja vijon të kërkojë ndihmë financiare dhe mbështetje.

Rasti ka ngjallur reagime mes të afërmve dhe miqve të të riut, teksa beteja për trajtim dhe mbijetesë mbetet ende e hapur.

Artikulli i mëparshëmBritani, 13 persona para gjykatës për skemën e dyshuar të drogimit dhe përdhunimit të një gruaje
Artikulli i radhësQeveria miraton 300 kredi të buta me interes zero për administratën publike