Profesionet që do të zhduken dhe ato që do lulëzojnë pas pandemisë në Europë

0

“Jeta ose kuleta”. COVID-19 na ka shtyrë të gjithëve të rivlerësojmë se çfarë është më e rëndësishme, duke na detyruar të vetizolohemi, për të mbrojtur veten dhe të tjerët.

Masat e nevojshme kufizuese dhe bllokimi më tej për t’i bërë ballë pandemisë, kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë reale: kompani të mbyllura, restorante dhe lokale të gjunjëzuara, ngadalësimi i PBB dhe borxhi janë pasojat e kësaj emergjence shëndetësore. Megjithatë, kriza nuk i prek të gjithë në të njëjtën mënyrë. Vetëm në Europë, koronavirusi rrezikon 60 milionë vende pune – thuajse 80% e këtyre kryhen nga profesionistë pa një diplomë universitare.

Kjo zbulohet në një studim të shoqërisë për këshillime McKinsey – ata që do të goditen më shumë ekonomikisht në këtë periudhë do të jenë njerëzit pa një diplomë universitare, punonjës apo profesionistë me kontrata të përkohshme, apo ata më pak të mbrojtur apo me fitime më të ulëta. Me pak fjalë, virusi do të rrisë hendekun mes të pasurve dhe të varfërve. Natyrisht, niveli i rrezikut ndryshon në varësi të sektorit. Për shembull, sektorë ku mund të praktikohet smartworking do të preken më pak se sa ata që karakterizohen nga aktivitete ku kërkohet një lloj afërsie fizike mes individëve, kolegëve apo njerëzve në përgjithësi (mendoni restorantet apo fabrikat).

Siç lexohet në dokumentin “Safeguarding Europe’s livelihoods: Mitigating the employment impact of COVID-19“, në mesin e njerëzve të pushuar nga puna, atyre që nuk u janë paguar pagat, të cilëve u janë shkurtuar orët e punës dhe reduktuar pagat do të jenë mbi të gjitha ata që punojnë në sektorin e shitjeve dhe shërbimin ndaj klientit, në sektorin e shitjeve me pakicë, restoranteve, hoteleri-turizëm, ndërtimi, shërbimi ndaj komunitetit, artit dhe argëtimit.

Ndër ta, do të preken më shumë njerëzit që nuk kanë një diplomë universitare – pa të apo pa doktoraturë rrezikohen dyfish më shumë krahasuar me ata që kanë një përvojë akademike. Të njëjtin fat do të kenë edhe të rinjtë e moshës 15 – 25 vjeç, që kanë më shumë probabilitet të pushohen nga puna nga shefi i tyre krahasuar me punonjës të moshave të tjera (mbi 25 vjeç)

Sektorët dhe profesionet më të prekur nga COVID-19

Kërkuesit e McKinsey përdorën kritere të sakta për të vlerësuar shifrat dhe sektorët që do të goditen më tepër negativisht nga pandemia. Afërsia fizike që kërkohet në disa profesione dhe efekti në kërkesë për disa produkte dhe shërbime të shkaktuara nga pandemia, na japin mundësinë të dallojnë sektorët në grupe të caktuara.

Profesionet që rrezikohen më pak numërojnë më shumë se 160 milionë të punësuar – janë ata që nuk punojnë domosdoshmërisht pranë njerëzve të tjerë (kontabilistë, arkitektë, gazetarë), ata që punojnë në shërbimet e shëndetësisë (mjekë, drejtues në sektor, shoferë ambulancash) apo shërbime të tjera thelbësore (policia, arsimi, transporti publik, prodhimi i ushqimit).

Profesionet me rrezik të ndërmjetëm përfshijnë 14,7 milionë persona, të cilët punojnë me të tjerë, por nuk ndërveprojnë me publikun, si operatorët e makinave, punëtorët në ndërtim dhe psikologët.

Në profesionet më të rrezikuara, janë thuajse 55 milionë persona, pjesa më e madhe e të cilëve në kontakt me publikun si shitjet në sektorin me pakicë, kuzhinierët etj.

Siç tregon grafiku, më në përgjithësi 50% e të gjithë punonjësve më të rrezikuar në Europë bëjnë pjesë në sektorin e shërbimit ndaj klientit dhe shitjeve, restoranteve dhe ndërtimit.
“Më pak të prekur do të jenë profesionistët në shërbimin e shëndetësisë, shkencës, teknologjisë, inxhinierisë, arsimit, biznesit dhe profesionet juridike” lexohet në raport.

Nëse analizojmë rrezikun specifik për sektorin industrial, profesionet më të goditura nga kriza lidhen me hotelerinë dhe restorantet, arte dhe argëtim, ndërtim dhe shitjet me pakicë.

Studimi thekson që sektorët të cilët do të dëmtohen më shumë nga mbyllja ekonomike janë ata që numërojnë numrin më të madh të punonjësve pa studime universitare.


“Shitjet me pakicë dhe sektori i hoteleri – turizmit numërojnë respektivisht 14,6 milionë dhe 8,4 milionë punë në rrezik: vetëm 17% dhe 14% e këtyre punonjësve në këta sektorë ka një diplomë universitare. Nga ana tjetër, vetëm 52% e punonjësve në sektorin e shërbimeve ka një diplomë – ky sektor regjistron më pak vende pune të rrezikuara (1,6 milionë)” thuhet në fund në studim.

Burimi: Business Insider

Artikulli i mëparshëmPas pandemisë, vjen borxhi
Artikulli i radhës10 miliarderët që i kanë shumëfishuar milionat falë COVID-19