Petri Bozo dhe fjalia që revoltoi njerëzit pas tragjedisë

0
Petri Bozo

Askush nuk zgjohet në mëngjes me dëshirën për të përplasur një fëmijë me makinë. Askush. Tragjedia mund të ndodhë. Aksidentet ndodhin. Jeta, në sekonda të caktuara, shembet mbi njerëzit pa paralajmërim.

Por është një vijë e hollë që ndan tragjedinë nga degradimi moral. Dhe ajo vijë kalon tek mënyra si sillesh në minutën kur përballesh me vdekjen.

Sepse të gjendesh përballë trupit të një fëmije të vrarë dhe instinkti yt i parë të jetë ndërtimi i alibisë personale, nuk është më çështje drejtimi mjeti. Është çështje ndërgjegjeje.

“Isha me 10 km në orë në rrugë nacionale.”

Një fjali që nuk tingëllon si dhimbje. Nuk tingëllon si tronditje. Nuk tingëllon si njeri. Tingëllon si deklaratë siguracionesh. Si mbrojtje juridike e prodhuar mekanikisht, ndërkohë që një familje sapo ka hyrë në ferr.

Sepse në tragjedi të tilla ekziston një rregull i pashkruar njerëzor: hesht.

Hesht sepse ka kohë për versionin tënd. Ka kohë për ekspertizat. Ka kohë për hetimet. Ka kohë për avokatët. Por ka një moment që i përket vetëm dhimbjes së një nëne që sheh fëmijën e saj të pajetë.

Vdekja nuk zhbëhet nga asnjë shpjegim teknik.

Nuk ka formulë. Nuk ka justifikim. Nuk ka PR. Nuk ka deklaratë që i thotë një nëne: “ja, tani dhemb më pak”.

Dhe ndërsa hetimet ende nuk kanë përfunduar, një pjesë e mediave kanë hyrë me vrap në fazën më të neveritshme të refleksit publik shqiptar: zhvendosjen e fajit drejt viktimës.

“Fëmija i iku nënës nga duart.”

Çuditërisht, gjithmonë gjendet një mekanizëm për ta shpërndarë përgjegjësinë larg atij që ndodhet në qendër të tragjedisë. Gjithmonë gjendet një narrativë për ta holluar peshën morale të ngjarjes. Si të mos mjaftonte humbja, duhet nisur menjëherë edhe gjyqi publik ndaj familjes.

Kjo është pika ku shoqëria humbet fytyrën.

Sepse tragjedia nuk matet vetëm nga aksidenti. Matet nga mënyra si reagojnë njerëzit pas tij. Dhe ka reagime që flasin më shumë se vetë ngjarja.

Post Scriptum:

Ngushëllime familjes. Dhe forcë për të kaluar një dhimbje që asnjë prind nuk duhet ta njohë kurrë.

Artikulli i mëparshëmBegaj takon Papa Leonin XIV dhe i çon ftesë për vizitë në Shqipëri
Artikulli i radhësSpanja nxjerr planin 9 miliardë euro për energjinë, por i duhet vota e parlamentit