Shifrat e publikuara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për vitin 2025 nxjerrin një bilanc alarmant për zjarret në vend. Sipas raportit zyrtar, flakët përfshinë rreth 34 mijë hektarë, ndërsa rreth 16 mijë hektarë u dogjën në fondin pyjor dhe kullosor. Dokumenti e rendit 2025-n si një nga vitet më problematike të dekadës, me dëme që përkthehen në kosto të rëndë për mjedisin dhe ekonominë.

2025, një nga vitet më të rënda të dekadës
Raporti i AKM e rendit vitin 2025 të dytin më problematik pas vitit 2017 për nga përmasat e zjarreve. Sipas të dhënave zyrtare, sipërfaqet e djegura pothuajse u dyfishuan në krahasim me periudhën 2021–2024.
Në total, nga 34 mijë hektarë të përshkuar nga flakët, rreth 16 mijë hektarë i përkisnin fondit pyjor dhe kullosor. Vetë këto shifra ngrenë pikëpyetje serioze për parandalimin, menaxhimin në terren dhe efektivitetin e mekanizmave institucionalë gjatë sezonit të zjarreve.
Dëmi financiar kalon 7.1 miliardë lekë
Sipas përllogaritjeve të përfshira në raport, dëmi total në Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar arriti në 7,186,335,000 lekë. Bëhet fjalë për një faturë shumë të lartë publike dhe mjedisore, në një situatë ku pasojat nuk maten vetëm me sipërfaqen e djegur.
Gjatë sezonit u shkatërruan edhe 128,597.8 metra kub material drusor. Nga kjo sasi, vetëm 25,634 m³ rezulton të ketë mbetur e përdorshme për shfrytëzim, çka tregon përmasën reale të goditjes mbi pasurinë pyjore.
Jugu mbajti barrën kryesore të zjarreve
Zjarret patën shtrirje të gjerë në 47 bashki, por sipas raportit dëmet më të mëdha u regjistruan në jug të vendit. Delvina rezulton bashkia me sipërfaqen më të madhe të djegur, me 5,845 hektarë, e ndjekur nga Finiqi me 1,828 hektarë, Tepelena me 1,512, Konispoli me 1,400 dhe Himara me 1,081 hektarë.
Në listën e zonave më të prekura përfshihen edhe Gramshi me 982 hektarë dhe Berati me 690 hektarë. Në nivel qarku, Vlora dhe Gjirokastra kryesojnë me diferencë të ndjeshme ndaj pjesës tjetër të vendit.
Shkaqet: shumë pretendime, por shumica e rasteve pa përgjigje
Versioni zyrtar flet për kombinim të aktivitetit njerëzor me kushtet ekstreme klimatike: temperatura të larta, thatësirë të zgjatur dhe erëra të forta, sidomos në zonat me pyje pishe ku përhapja e flakëve favorizohet nga rrëshira dhe mbulesa e thatë.
Raporti përmend si faktorë djegien e mbetjeve bujqësore pa masa sigurie, zjarret për hapjen e kullotave, hedhjen e cigareve të ndezura, defekte në linjat elektrike, shkëndija nga mjetet motorike, si edhe zjarrvënie të qëllimshme të lidhura me konflikte pronësie, pastrim të paligjshëm toke apo spekulime urbane.
Megjithatë, pavarësisht këtij katalogu shkaqesh, vetë institucionet pranojnë se 150 raste zjarresh mbeten me shkaqe të panjohura. Vetëm 20 raste janë klasifikuar si njerëzore të paqëllimshme dhe 3 si të qëllimshme, një raport që lë hapur dyshime të forta mbi aftësinë reale për hetim dhe zbardhje të ngjarjeve.
Bilanci i vitit 2025 e vendos sërish në qendër dështimin për të frenuar zjarret para se ato të marrin përmasa të pakontrollueshme. Kur dëmi llogaritet në mijëra hektarë dhe miliarda lekë, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm te klima apo te një formulim i përgjithshëm për “faktorin njerëzor”.
Shifrat e raportit tregojnë një krizë që ka goditur rëndë pyjet, kullotat dhe financat publike, ndërsa një pjesë e madhe e rasteve vijojnë pa autor dhe pa shkaqe të qarta.
