Një vendim i Gjykatës Administrative të Tiranës ka sjellë një zgjidhje të përkohshme për krizën e pagave në sistemin gjyqësor, të paktën për dy institucione kyçe. Administrativja ka pranuar kërkesat për sigurimin e padisë të paraqitura nga GJKKO dhe Gjykata e Durrësit, duke urdhëruar zhbllokimin e fondeve për pagat e punonjësve.

Vendimi prek menjëherë dy gjykata
Sipas vendimit të bërë publik, masa e përkohshme vlen për Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si edhe për Gjykatën e Durrësit. Me këtë urdhër, fondet e bllokuara për pagat duhet të kalojnë, në mënyrë që stafet të mos mbeten pa pagesë.
Në thelb, gjykata ka pranuar një mjet procedural që synon të ndalojë pasojat e menjëhershme të bllokimit financiar, pa dhënë ende fjalën e fundit për konfliktin.
Edhe Gjykata e Lartë ka ndjekur të njëjtën rrugë
E njëjta kërkesë është paraqitur edhe nga Gjykata e Lartë. Ndërkohë, sipas raportimeve, edhe gjykata të tjera në vend po orientohem drejt të njëjtit mekanizëm ligjor, me padi më vete dhe kërkesa të veçanta për sigurimin e tyre.
Kjo tregon se problemi nuk duket i izoluar, por ka marrë përmasa më të gjera në sistem, duke detyruar institucionet gjyqësore të kërkojnë zgjidhje në sallën e gjyqit për të siguruar fondet bazë të funksionimit.
Zgjidhje provizore, jo fund i konfliktit
Pranimi i sigurimit të padisë nuk e mbyll çështjen. Bëhet fjalë për një masë të përkohshme, e cila synon të garantojë pagesat deri sa Gjykata Administrative të shqyrtojë konfliktin në themel.
Pra, ngërçi mund të zbutet për momentin, por burimi i përplasjes mbetet i pazgjidhur. Vendimi shmang pasojat e menjëhershme për punonjësit, ndërsa pyetja kryesore mbetet e hapur: si u arrit deri në pikën që gjykatat të kërkojnë me padi sigurimin e pagave të tyre.
Për momentin, urdhri i Administratives krijon një dalje të përkohshme nga bllokimi i pagesave për GJKKO-në dhe Gjykatën e Durrësit.
Por fakti që gjykatat po detyrohen të kërkojnë ndërhyrje gjyqësore për pagat e stafeve të tyre e kthen këtë nga një çështje teknike në një problem serioz institucional.
